2007-09-09 15:59:50

Shenjtorët e javës nga 9 deri m 15 shtator, sipas kalendrit kishtar


(09.09.2007 RV)RealAudioMP3 Sot më 9 shtator, kalendari i Kishës romake kremton të dielën e 23-të gjatë vitit kishtar, ndërsa prej shenjtorëve, sot kalendari përkujton shën Pjetërin Klaver, meshtar jezuit, apostull ndër zezakë të internuar;

Nesër e hënë, më 10 shtator, kalendari kishtar do të përkujtojë shën Nikollën Tolentino, meshtar rregulltar agostinian;
Në Hyjin është shpëtimi im e lavdimi im, pohon Psalmi i ditës. Duke sfiduar çdo akuzë, Jezusi pikërisht ditën e shtunë, që për hebrenjt është ditë e shenjtë e nuk puhohet fare, Ai e shëron njeriun nga sëmundja e paralizimit të dorës. Sipas Biblës festa e vërtetë është vetëm atëherë kur i kushtojmë kohë lavdërimit të Zotit e veprave të bamirësisë në dobi të atij që ka nevojë për ndihmë.

Të martën e ardhshme më 11 shtator, sipas kalendarit kishtar bie festa e shën Protit e Jacintit, martirë.
Psalmi i kësaj dite thotë: pa mbarim do ti këndojë mirësisë së Zotit. Tërë personi i Jezusit, edhe trupi i tij, shpreh forcën që pambarimisht jep shëndet e guxim. Ja udhët për të fituar shpëtimin prej Zotit: të bëhemi nxënës të tij e ti dëgjojmë e zbatojmë mësimet e apostujve, të cilët na propozojnë ato udhëzime që Mësuesi Hyjnor ua ka besuar atyre.

Të mërkurën që vjen më 12 shtator, kalendari kishtar do të kremtojë festën e Emërit të Shenjtë të Vigjërës Mari, si dhe shën Guidon nga Brabanti e Shën Silvanin e Veronës.
Lavdi të qoftë ty o Zot, shpëtimi i popujve. Fjalimi universal i Mësuesit Hyjnor artikulohet nga Ai në " të lumë" e në " të mjerë". Pikëvështrimi i Hyji ndryshon rrënjësisht çdo pritje njerëzore e vetëm duke iu përmbajtur vështrimit të Hyjit, nxënësit kapërcejnë çdo vështirësi e pengesë në udhën e jetës së tyre.

Të enjtën më 13 shtator, bie festa e shën Gjon Gojartit apo Krizostomit, ipeshkëv e doktor i Kishës.
Lavdi ty o Zot, i gjallë në shekuj. Masa me të cilën Hyji vlerëson veprimet tona është krejtësisht ndryshe nga masat e vlerësimit të kohës aktuale që përdorin njerëzit. Në marrëdhënie me të tjerë, kriteri i propozuar nga Jezusi është thelbësisht ky: atë që doni që të tjerët t'ua bëjnë juve, edhe ju bëniani të tjerëve.

Të premten e ardhshme më 14 shtator, kalendari liturgjik i Kishës kremton festën e Naltimit të Kryqit të Shenjtë, siç njihet tek popullit shqiptar, festa e Shëna Kryqit.
Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezus Krishti Shpëtimtar, shëlbon gjithësinë dhe personat. Cdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit na është dhënë të gjithëve jeta e amshuar.
Festa e Naltimit të Kryqit të Shenjtë kremton një fakt historik të epokës së perandorit Konstandinit e nënës së tij Helenës, kur qe zbuluar mbi Golgotë në Jeruzalem Kryqi, mjeti i vdekjes së Krishtit. Ky Kryq i Krishti gjendet në Bazilikën e Jeruzalemit.

Të shtunën që vjen më 15 shtator, kalendari kishtar kremton festën e të Zojës së Bekuar të Dhimshme.
Në dhimbje, më ndihmo, o Zot. Martire megjithëse pa vdekur është Maria nën kryqin e të Birit. Nga shkatërrimi e dhimbja do të vijë ngjallja; në vend të Birit të humbur, do të ketë një mori e madhe besimtarësh në Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.