2007-09-09 17:39:32

Papa në Meshën e kremtuar në katedralen e Vjenës foli mbi të dielën si dhuratë të Zotit për ta sjellur në botë, si ushqim i domosdoshëm shpirtëror: “Pa Krishtin koha është e zbrazët


(09.9.2007 RV)RealAudioMP3 Në plan të parë të emisionit tonë, dita e tretë dhe e fundit e vizitës apostolike të Papës në Austri. Në katedralen e Shën Shtjefnit në Vjenë, Ati i Shenjtë kremtoi Meshën solemne në të cilën, besimtarëve që gjendeshin brenda dhe jashtë katedrales, Papa u tha se Krishti krijon gurra dashurie në një botë ku mbizotëron pushteti dhe paraja, dhe citoi Shën Françeskun, Shën Injacin dhe Nënë Terezën si mishërues të Fjalës së Krishtit në jetën e tyre.
Menjëherë pas Meshës në lutjen e Engjëllit të Tenzot para Katedrales së Shën Shtjefnit, ku ishin mbledhur më se 20 mijë besimtarë Ati i Shenjtë, iu drejtua Zojës së Bekuar së cilës i kërkoi të vazhdojë të na dhurojë Krishtin, dhe bëri një reflektim mbi domethënien e kremtimit të së dielës, në aspektin e shenjtë të saj.
Ndërsa sot pasdite vizitoi abacinë e njohur të “Hajligen Krojtce” – të Krygjës Shenjte, ku u ndal në në lutje në kishën e kësaj abacie benediktine të vitit 1187. Përveç bashkësisë mungëtare tek abacia ishin mbledhur më se 12 mijë besimtarë me të cilët Ati i Shenjtë u ndal për disa minuta, për t’i përshëndetur
Më pas Papa në orën 17.30 në “Viner koncerthaus” takoi botën e vullnetariatit austriak. Këtu Ati i Shenjtë Racinger përshëndeti përfaqësues të organizatave vullnetare si Kryqi i Kyq, Karitasi, Zjarrfikësit e të tjerë, që janë të angazhuar në jetën sociale të Austrisë, një dukuri me vlerë të veçantë për shoqërinë moderne. Është për t’u nënvizuar se në botën e vullnetariatit marrin pjesë të moshuar e të rinj.
Së fundi në orën 19.30, në ceremoninë e lamtumirës në aeroportin e Vjenës, autoritetet më të larta shtetërore dhe kishtare austriake e falenderuar përzemërsisht Atin e Shenjtë për këtë dhuratë të çmueshme që i bëri mbarë kombit, ndërsa Papa Racinger falenderoi sinqerisht për mikpritjen e ngrohtë dhe përjetimet e pashlyeshme që pati në momente të ndryshme të kësaj vizite apostolike.
Por tani, më hollësisht po kthehemi te ngjarjet më kryesore të ditës së sotme në Vjenë.
Sikur thamë më parë, në orën 10.00, në katedralen e Shën Shtjefnit, Papa kremtoi Meshën e Shenjtë, një liturgji e bukur, plot emocion dhe domethënie.
Ju propozojmë një përmbledhje të shkurtër nga homelia e Papës.

“Sine dominico non possumus!” Pa dhantinë e Zotit, pa Ditën e Zotit nuk mund të jetojmë: kështu u përgjigjën në vitin 304 disa të krishterë të Abitenës në Tunizinë e sotme, kur pasi u zunë gjatë kremtimit eukaristik të së dielës, kremtim që ishte i ndaluar, u çuan përpara gjykatësit. I pyetën se pse kishin kremtuar të dielën rite të krishtera duke e ditur se për këtë gjë ndëshkoheshin me vdekje...
Në fjalën “dominico” gërshetohen pazgjidhëshmërisht dy domethënie, unitetin e të cilave duhet ta mësojmë ta kuptojmë rishtas. Para së gjithash kemi dhuratën e Zotit – kjo dhuratë është Ai vetë: I Ngjalluri për kontaktin dhe afërsinë me të cilin të krishterët kanë nevojë për qenë vetëvetja. Porse ky nuk është vetëm një kontakt shpirtëror, i brendshëm, subjektiv: takimi me Zotin shënjohet në kohë nëpërmes një dite të përcaktuar qartë. Në këtë mënyrë shënjohet edhe në ekzistencën tonë, në atë trupore dhe në atë të bashkimit që është përkohshëmëria. I jep kohës sonë, e si rrjedhojë edhe jetës sonë në tërësi, një qendër, një rregull të brendshëm. Për ata të krishterë kremtimi eukaristik i së dielës, nuk ishte vetëm ligj kishe por një nevojë e brendshme. Pa Atë që e mban jetën tonë me dashurinë e Tij, vetë jeta është e zbrazët. Të heqësh dorë apo ta tradhëtosh këtë qendër do t’i hiqte jetës sonë, themelin e saj, dinjitetin e brendshëm, dhe bukurinë e saj...


Edhe ne kemi nevojë për këtë kontakt me Të Ngjallurin, që na mban deri edhe përtej vdekjes. Kemi nevojë për këtë takim që na bashkon, që na jep një hapësirë lirie, që na bën të shohim përtej rrumujës të jetës së përditshme drejt dashurisë krijuese së Zotit, nga e cila vijmë e drejt së cilës shkojmë.


Pjesa e sotme e ungjillit thotë: “Ai që nuk heqë dorë nga çdo pronë e vetja dhe nuk shkëputet edhe nga lidhjet familjare, nuk mund të jetë nxënësi im.”... Po ta dëgjojmë Zotin në tërësi të asaj që na thotë, atëherë kuptojmë se Jezusi nuk kërkon nga të gjithë ne të njëjtën gjë. Secili ka detyrën e vet personale dhe atë lloj jete që Zoti ka planifikuar për të. Në ungjillin e sotëm Jezusi na flet drejtëpërsëdrejti për atë çka nuk është detyrë e shumë prej atyre që i ishin bashkuar Atij në shtegtimin drejt Jeruzalemit, por që është detyrë e posaçme e të Dymbëdhjetëve. Këta pikësëpari duhet të kapërcejnë shkandullin shkaktuar nga Kryqi, e pastaj duhet të jenë të gatshëm për t’i braktisur me të vërtetë të gjitha e të pranojnë misionin, në pamje të parë absurd, të shkuarjes deri në në fund të botës, dhe me kulturën e tyre të pamjaftueshme t’i shpallin një bote të mbushur me gjoja dituri dhe me edukatë të gënjeshtërt – sikundër pa dyshim edhe të varfërve e të thjeshtëve, - Ungjillin e Jezu Krishtit. Duhet të jenë të gatshëm, në rrugëtimin e tyre nëpër botë, ta provojnë mbi kokën e tyre martirizimin, për të dëshmuar kështu Ungjillin e Zotit të kryqëzuar e të ngjallur. Nëse fjala e Jezusit i drejtohet para së gjithash të Dymbëdhjetëve, thirrja e tij natyrisht, arrin përtej atij çasti historik, dhe shkon në të gjithë shekujt.... Mjafton të sjellim ndërmend njerëz si Benedikti dhe Skolastika, si Françesku dhe Kiara, Elizabeta e Turingës dhe Edvixhi i Slezies, si Injac Lojola, Tereza e Avilës e deri te Nënë Tereza e Kalkutës dhe Padre Pio! Këto persona, me krejt jetën e tyre, janë bërë mishërimi i fjalës së Jezusit, e cila nëpërmjet tyre bëhet e afërt dhe e kuptueshme për ne.
Le të lusim Zotin që edhe tani, në kohën tonë t’u japë shumë njerëzve guximin për të lënë gjithçka, në mënyrë që të vihen kështu në shërbim të të tjerëve.

Por nëse i drejtohemi përsëri tani ungjillit, na bie në sy se në ato rreshta, Zoti nuk flet vetëm për disa pak vetë e për detyrën e tyre të veçantë; thelbi i fjalëve të tija është se ajo çka Ai thotë vlen për të gjithë...: “Kush don ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë, por kush do të humbasë jetën e vet për mua, ai do ta shpëtojë. E çka i vlen njeriu të fitojë mbarë botën nëse pastaj humbet dhe shkatërron vetveten?” (Lk 9, 24s) Ai që don ta zotërojë jetën e tij vetëm për vete, ta ketë vetëm për vete, ai do ta humbasë. Vetëm ai që dhurohet e fiton jetën e vet. Me fjalë të tjera: vetëm ai që dashuron gjen jetën. Dhe dashuria kërkon gjithmonë që të dalim nga vetvetja, na kërkon që ta braktisim vetveten. Ai që sillet mbrapa për të kërkuar vetveten dhe don ta ketë atë tjetrin vetëm për vete, pikërisht në këtë mënyrë humbet veteveten edhe atë tjetrin. Pa e humbur veteveten nuk ka jetë. Lakmia e paskajshme për jetën, që sot i trazon njerëzit, përfundon në zbraztinë e jetës së humbur. “Kush do ta humbasë jetën për mua...” thotë Zoti: një braktisje e vetvetes në mënyrë më të thellë e më rrënjësore është e mundur vetëm nëse nëpërmjet këtij veprimi në fund nuk biem në zbrazti por në duart e Dashurisë së Amshuar.
Vetëm Dashuria e Zotit që u sakrifikua për ne, duke u dorëzuar në dorën tonë, bën të mundur që edhe ne të bëhemi të lirë, ta braktisim vetveten e në këtë mënyrë të gjejmë me të vërtetë jetën... . Me fjalën e tij Ai na siguron se mund t’i besojmë dashurisë së tij, dashurisë së Zotit të bërë njeri...


E diela në shoqëritë tona perëndimore është shndërruar në një fund-jave, në një kohë të lirë. Koha e lirë, veçanërisht në këtë nxitimin e madh të botës moderne është padyshim një gjë e bukur dhe e nevojshme. Por nëse koha e lirë nuk ka një qendër të brendshme, nga e cila vjen një orijentim për gjithçkafen, ajo bëhet kohë e zbrazët që nuk na përtërin dhe nuk na zbavit. Koha e lirë ka nevojë për një qendër – për takimin me Atë që është edhe origjina jonë dhe caku ynë. Paraardhësi im i lartë i selisë kryeipeshkvnore të “Munchen und Freising” Kardinali Faulhaber, një herë e ka shprehur këtë kështu: “Jepi shpirtit të Dielën e vet, e jepi të Dielës shpirtin e saj.”


Pikërisht pse në bazë të së dielës bëhet fjalë për takimin, me Fjalën dhe me Sakramentin, me Krishtin e Ngjallur, rrezja e kësaj dite përfshin krejt botën. Të krishterët e parë e kremtonin ditën e parë të javës si Ditën e Zotit, sepse ishte Dita e të Ngjallurit. Por shumë shpejt Kisha kuptoi se dita e parë e javës ishte edhe dita e mëngjesit të krijimit, dita në të cilën Zoti tha: “Le të jetë drita!” (Gjen 1, 3). Për këtë e Diela për kishën është edhe festa javore e të krijuarit – festa e mirënjohjes dhe e gëzimit për sa ka krijuar Zoti.
Në një epokë, kur për shkak të ndërhyrjeve tona njerëzore, krijimi gjendet përballë shumë rreziqeve, duhet të kuptojmë me vetëdije pikërisht edhe këtë përmasë të së Dielës.
Në Kishën e hershme, dita e parë pastaj asimiloi me kohë edhe trashëgimin e ditës së shtatë, të Shabatit - të së shtunës. Marrim pjesë në pushimin e Zotit, një pushim që i rrok të gjithë njerëzit. Kështu në këtë ditë kuptojmë diçka nga liria dhe barazia e të gjitha krijesave të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.