2007-09-08 11:59:12

Evropa, vlerat e krishtera, aborti e eutanazia, janë temat e takimit të Papës me diplomatët në Austri


(07.09.2007 RV)RealAudioMP3 Evropa, vlerat në të cilat mbështetet bashkimi i saj, rrënjët e saj të krishtera, sfidat që duhet të përballojë, ishin argumentet e fjalimit të fundit të mbajtur nga Papa Benedikti XVI në ditën e tij të parë austriake.
Ati i Shenjtë u takua me autoritetet dhe Trupin Dipllomatik të akredituar në Austri, në kompleksin Hofburg të Vjenës, rezidencë e Habsburgëve nga viti 1283 në vitin 1918. Pas takimit privat me presidentin e Republikës, Hajnc Fisher, Papa u foli 183 deputetëve e 60 senatorëve, eksponentëve të tjerë të qeverisë e të kulturës si edhe ambasadorëve, në Sallën e madhe të Pritjes.
“Ndodhemi në këtë vend historik – tha Benedikti XVI – nga i cili për shekuj me radhë është qeverisur një perandori, që ka bashkuar pjesë të mëdha të Evropës qendrore dhe lindore”.
Nga ky vend, Shenjtëria e Tij zgjeroi horizontin për të përfshirë në të Evropën e ditëve të sotme. Papa vuri në dukje se pas luftës, pas totalitarizmit dhe diktaturës, Evropa ka ndërmarrë rrugën e bashkimit, për t’i dhënë kontinentit paqe e zhvillim. Ndarja në blloqe është kapërcyer politikisht, por akoma mbetet në mendjet e në zemrat e personave. Drejt kapërcimit të këtij vizioni, duhet të priret bashkimi i Evropës, i cili është një vepër e madhe, pavarësisht nga kritikat e ligjshme kundër institucioneve e punës së tyre. Është një proces që ka sjellë paqen në kontinet, theksoi Benedikti XVI, i cili nuk mungoi të përmendte rolin e Gjon Palit II në rënien e komunizmit, e pastaj shtoi:
“Në veçanti, për vendet e Evropës qendrore e lindore, pjesëmarrja në këtë proces është një stimul i mëtejshëm për të konsoliduar lirinë, shtetin e së drejtës dhe demokracinë”.
Evropa nuk mund të mohojë rrënjët e saj të krishtera, nënvizoi Papa, duke iu referuar artit e kulturës, pranisë së kishave e të shenjtoreve si Mariacell, të cilat dëshmojnë atë që ka mundur të bëjë krishterimi jo vetëm në Austri, por në të gjitha vendet evropiane.
“Krishterimi e ka modeluar thellësisht këtë kontinent… Mariacell, shenjtorja e madhe kombëtare austriake, është njëkohësisht vend takimi për popuj të ndryshëm evropianë. Është një nga ato vende, në të cilat njerëzit kanë marrë dhe marrin “forcën nga lart” për të ndjekur rrugën e drejtë”.
Papa përmendi Asamblenë III Ekumenike që po zhvillohet në Sibiu të Rumanisë, për të vënë në dukje edhe kontributin e kishave në bashkimin e Evropës. Por cili është modeli evropian i jetës? Cilat janë sfidat që duhet të përballojë Kontinenti i vjetër e politikanët e tij? Benedikti XVI qe mëse i qartë për këtë:
“Sot flitet shpesh për model evropian të jetës. Me të kuptojmë një rend shoqëror që do të thotë efikasitet ekonomik me drejtësi shoqërore, pluralitet politik me tolerancë, liri dhe hapje, por edhe ruajtje të vlerave që i japin këtij kontinenti një pozicion të veçantë. Ky model, nën presionin e ekonomisë moderne, gjendet para një sfide të madhe. Globalizimi që citohet aq shpesh nuk mund të ndalet, por është detyrë urgjente dhe përgjegjësi e madhe e politikës t’i japë globalizimit rregulla dhe kufizime të përshtatshme për të shmangur realizimin e tij në kurriz të vendeve më të varfëra e të personave më të varfër të vendeve të pasura, duke penalizuar kështu brezat e ardhshëm”.
Ati i Shenjtë nuk lë pa përmendur edhe gabimet e Evropës, por thekson se ajo ka aftësi autokritike që duhen shfrytëzuar. Në Evropë, është formuar për herë të parë koncepti i të drejtave të njeriut. E drejta themelore është jeta, prandaj aborti nuk mund të konsiderohet “e drejtë njerëzore”, theksoi Papa, polemik me vendimin e fundit të organizatës Amnesty International. Aborti është një “plagë e thellë shoqërore”, vazhdoi Papa, duke nënvizuar:
“Duke thënë këtë, nuk shprehim ndonjë interes specifik kishtar. Bëhemi avokatë të një kërkese thellësisht njerëzore e ndjehemi zëdhënës të të palindurve, që nuk kanë zë. Nuk i mbyll sytë para problemeve dhe konflikteve të shumë grave dhe e kuptoj fort mirë se besueshmëria e fjalës sonë varet edhe nga ajo që bën vetë Kisha për të ndihmuar gratë në vështirësi”.
Që këtej, thirrja drejtuar politikanëve, që të mos i konsiderojnë fëmijët si raste sëmundjeje e të bëjnë ç’është e mundur që Evropa t’i pranojë sërish fëmijët si bekim i Zotit e jo si problem. Bashkë me ndihmën ndaj familjeve të reja, që të bëjnë fëmijë, duhet krijuar një klimë gëzimi e besimi në jetën.
Më pas, Papa shprehu shqetësimin e madh për eutanazinë, të ashtuquajturën “ndihmë aktive për të vdekur”, siç tha:
“Përgjigjia e drejtë ndaj vuajtjes në fund të jetës është kujdesi i dhembshur, shoqërimi drejt vdekjes – në veçanti edhe me ndihmën e mjekësisë për zbutjen e dhimbjeve – e jo një “ndihmë aktive për të vdekur”.
Natyrisht, kjo kërkon një impenjim të madh të shteteve për t’u siguruar këtyre pacientëve dhe familjarëve të gjithë mbështetjen për të cilën kanë nevojë.
“Më parë materia, apo më parë ndërgjegjia” ka qenë binomi me të cilin stërhollohej e gjithë filozofia e materializmit dialektik, që mësohej dikur në shkollat shqiptare. Duke cituar një filozof të shquar jo të krishterë, Jyrgen Habermas, Benedikti XVI shpjegoi se si në origjinë të të gjitha gjërave ka qenë arësyeja: In principio erat Verbum, arësyeja krijuese e Zotit e nga kjo arësye kanë rrjedhur të gjitha filozofitë aktuale, të cilat kanë interpretuar në mënyre kritike trashëgiminë judaike dhe etikën e krishterë.
Së fundi, detyrat e Evropës në botë:
“Kontinenti që demografikisht plaket me të shpejtë nuk duhet të bëhet edhe një kontinent shpirtërisht i plakur. Gjithashtu, Evropa do të jetë më tepër e vetëdijshme për veten e vet, nëse do të marrë përsipër në botë një përgjegjësi që i përgjigjet traditës së saj të veçantë shpirtërore, aftësive të saj të jashtëzakonshme dhe forcës së saj të madhe ekonomike. Bashkimi Evropian pra, duhet të ketë një rol udhëheqës në luftën kundër varfërisë në botë dhe në impenjimin në favor të paqes”.
Të shumta sfidat që përmendi Papa: nga SIDA tek Darfuri, nga Lindja e Mesme tek impenjimi në Amerikën Latine e në Azi.
Nesër, Ati i Shenjtë, Benedikti XVI shkon në shenjtoren e Mariacellit, vend lutje për austriakët, hungarezët dhe për popujt sllavë. Aty do të lutet dhe do të kremtojë Meshën e Shenjtë për 850-vjetorin e themelimit të shenjtores mariane.








All the contents on this site are copyrighted ©.