2007-09-06 18:53:48

Papa në Austri në udhëtimin e tij të 7-të apostolik ndërkombëtar.


(06.9.2007 RV)RealAudioMP3 Nesër Papa shkon në Austri në udhëtimin e tij të 7-të apostolik ndërkombëtar. Njëri prej momenteve kulmore të këtij shtegtimi , do të jetë vizita e Benediktit XVI në Shenjtëroren e Maricalellit, që është njëri prej vendeve të shenjta ku kulti ndaj Zojës së Bekuar është më i ndier e më i frenkuentuar nga besimtarët austriakë e të vendeve tjera.
E në pragun e shtegtimit baritor të Papës në Austri që nga dita e nesmërme e deri të dielën më 9 shtator, me moton: “Të shikojmë Krishtin” kryeipeshkvi i Vjenës kardinali Kristof Shënborn i fton katolikët austriakë të dalin nga bashkësitë e Kishave famullitë për t’ia dëshmuar fenë atyre që janë larg Krishtit.
Mbi këtë shtegtim Apostolik të Papës në Austri, që bëhët në kuadrin e 850-vjetorit të themelimit të Shenjtërores së Zojës së Bekuar në Mariacel, flet vetë kardinali Shënborn, në mikrofonin e radios sonë.

Pyetje: - Hirësiaj juaj, në prag të shtegtimit të Papës në Vjenë e në Mariacel, Kisha austriake duket plot gjallëri. Flitet për rizgjim, pas çasteve të vështira të viteve të kaluara….

Përgjigje: - Jam i kënaqur që po dëgjoj të flitet për rizgjim. Jo të gjithë e shikojnë me këtë sy, sepse ndjehen edhe shenja lodhjeje, e jo aq në Kishë, sa në shoqëri. Na duket sikur nuk fryn erë, po të përdorim shprehjen e detarëve. Por një gjë është e vërtetë: pas viteve të vështira, vërejmë se të krishterët austriakë po e rifitojnë vetëdijën e guximin, po e ndjejnë se kjo shoqëri ka nevojë për Ungjillin, për fenë, për lutjen. Por duhet të them edhe se nuk e di në se jemi në lartësinë e duhur për atë që na kërkon Zoti, përballë kësaj sfide. Zoti na kërkon të ecim përpara. Nuk jemi akoma misionarë aq sa duhet….

Pyetje: - Cilat janë, në këtë çast, përparësitë baritore për Kishën e ipeshkvijtë në Austri që ka sfida jo të pakta ?

Përgjigje: - Brënda Kishës – para së gjithash – është realiteti i rrjetit të madh të bashkësive famullitare, që janë plot me gjallëri, por jo më pak, edhe me probleme, kryesisht pasojë e mungesës së meshtarëve e të të rinjve. Duhet, prandaj, të inkurajohet gjithë rrjeti i famullive, në të gjithë Austrinë, e kjo është njëra nga detyrat kryesore të shtegtimit të Ati të Shenjtë: prandaj në Mariacel janë ftuar të gjithë përfaqësuesit e këshillave baritore të famullive. Ata do të marrin zemër nga fjalët e Atit të Shenjtë. Sfida tjetër është veprimtaria misionare, aftësia për t’i hapur zemrën të tjerëve, shumicës së shoqërisë, që nganjëherë është larg fesë e larg Kishës. E përsëris: në radhë të parë është sfida e madhe e veprimtarisë misionare. E përvoja nuk na mungon. Mjafton të kujtoj “Misionin e madh’ të qytetit të Vjenës, gjatë të cilit kanë lindur një numër i madh nismash, në vijim e sipër. Edhe në këtë fushë presim shumë nga inkurajimi i Atit të Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.