2007-09-06 18:53:07

Papa Benedikti XVI priti në Vatikan Presidentin izraelit Peres.


(06.9.2007 RV)Takimi mes Atit të Shenjtë e Presidentit të Izraelit u mbajt në Pallatin Apostolik në Kastelgandolfo.
“Bisedimet e përzemërta – njofton një komunatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit – kanë mundësuar një shkëmbim informatash mbi rifillimin e fundit të kontakteve ndërmjet izraelianëve e palestinezëve për rivendosjen e paqes në Tokën e Shenjtë, në respektimin e Rezolutës së Kombeve të Bashkuara e të Marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Në takimin e tyre Papa e Peres uruan që, në kontekstin ndërkombëtar që tani duket veçanarisht i favorshëm, me Konferencën ndërkombëtare që është programuar në nëntorin e ardhshëm, secila Palë të bëjë përpjekjet e duhura për t’iu përgjigjur pritjeve të popullsive, të lodhura nga kriza që zgjatë tashmë prej 60 vjetësh dhe e cila vazhdon të shkaktojë zi e shkatërrim”.
Salla e Shtypit e Vatikanit njofton më tej se në takimin e sotëm “janë marrë në shqyrtim edhe marrëdhëniet ndërmjet Shtetit të Izraelit e Selisë së Shenjtë, duke uruar përfundimin sa më të shpejt të negociatave të rëndësishme që ende janë në zhvillim e sipër dhe të rivendoset një dialog i përhershëm mes Autoritetit izraelian e Bashkësive të krishtëra lokale, për të mundësuar një pjesëmarrje të plotë të këtyre në ndërtimin e së mirës së përbashkët. Presidenti Peresh ka ripërtëri thirrjen e tij drejtuar Papës për të vizituar Tokën e Shenjtë.
Pas takimit me Papën Benediktin e XVI, Presidenti Peresh pati një takim edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone e sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetët, imzot Dominikë Mambertì.







All the contents on this site are copyrighted ©.