2007-09-06 19:05:10

Barroso në Sibiu: Evropa pret shumë nga kishat


(06.09.2007 RV)Një reflektim biblik i kardinalit kryeipeshkëv të Milanos, imzot Dionixhi Tetamanci hapi sot ditën e dytë të punimeve të Asamblesë III Ekumenike evropiane në Sibiu të Rumanisë. Sot, rreth 2000 pjesëmarrësit folën mbi nevojën që të krishterët në Evropë të japin një dëshmi të vërtetë feje, duke kapërcyer një vizion thjesht kulturor të krishterimit. Kjo do t’u lejonte atyre të paraqiteshin para politikanëve si bashkëbisedues të vlefshëm. Në forumet e pasdites ndërmjet katolikëve, protestantëve dhe ortodoksëve u diskutuan tema të rëndësishme si procesi i bashkimit të Evropës, dialogu ndërfetar dhe emigracioni, në një kontinent gjithnjë e më tepër multikulturor e multietnik.
Evropa ka besim në kontributin e kishave dhe të bashkësive fetare e konfirmimi erdhi nga prania e presidentit të Komisionit Evropian, Hosè Manuel Barroso, në kryeqytetin e Transilvanisë. Në fjalën drejtuar asamblesë, Barroso nënvizoi faktin se në Traktatin evropian të rishikuar, njihet roli i kishave në bashkimin e Evropës. Ai iu referua qartë rolit të Papës Gjon Pali II për bashkimin e lindjes me perëndimin. “Vetëm duke u bazuar mbi vlera të caktuara – tha Barroso – Bashkimi Evropian mund të jetë më shumë se një treg apo një shoqëri interesash”







All the contents on this site are copyrighted ©.