2007-09-04 17:17:48

Nënë Tereza: e Lume deri në dhimbje


(04.09.2007 RV)RealAudioMP3 Jemi në vigjilje të festës liturgjike, në të cilën Kisha përkujton të Lumen Nënë Terezë, Misionaren e madhe shqiptare të Dashurisë e Bamirësisë, që e shkriu jetën për më të varfërit ndër të varfër. Nesër, mbushen 10 vjet që nga dita e kalimit të saj në shtëpinë e Atit Qiellor.
Shumë mund të thuhet për Gonxhe Bojaxhiun, por zgjedhim sot atë që mendojnë për të motrat e saj të Kongregatës. E pyetur mbi trashëgiminë që u ka lënë Nënë Tereza, motër Nirmala, e cila është sot në krye të Kongregatës, thotë: “Është gjallë më tepër se kurrë. Nëna jonë na ka lënë neve, misionareve të dashurisë, shpirtin e saj, e pikërisht për këtë e ndjejmë shumë afër. Na ka lënë porosi ta adhurojmë Jezusin në eukaristi e ta shërbejmë në më të varfërit ndër të varfër. E dimë me siguri se po lutet për ne e na udhëheq nga parajsa, ashtu siç bënte kur ishte në tokë, nëpërmjet mësimeve të saj. Nga ana tjetër, mëse një herë, sidomos gjatë periudhës së fundit, kur na shihte të shqetësuara për gjendjen e saj shëndetësore, na jepte zemër me premtimin se do të na ndihmonte shumë më tepër e më mirë nga parajsa”.
Të shumta janë shenjat që u ka dërguar Nënë Tereza simotrave të veta, pa numëruar mrekullitë e shërimit nga sëmundjet, që i janë sinjalizuar Vatikanit. Por për motrën Nirmala, shenja më e rëndësishme është ftesa për të shkuar në Oingdao të Kinës në vitin 2005. Sipas motrave, kjo u bë e mundur vetëm për hir të ndërhyrjes nga qielli të Nënë Terezës, e cila gjithnjë ka pasur dëshirë të bënte diçka në favor të fëmijëve dhe të popullit kinez. Ia pati thënë këtë edhe Papës Gjon Pali II, kur ishte për vizitë në Kalkutë.
Pikërisht sot del nga shtypi në anglisht, libri me letrat e Nënë Terezës, ku ajo zbulon “natën e errët të shpirtit”. Siç e kemi thënë edhe në programet e mëparshme, libri titullohet: “Nënë Tereza: eja e bëju drita ime”. Mbi të pyetëm imzot Anxhelo Komastrin, vikarin a Papës për Qytetin e Vatikanit, i cili e njihte personalisht Nënë Terezën:
Këtu duhet të bëjmë disa saktësime. “Nata e shpirtit” është dhuratë, jo ndonjë rreng i Hyjit. Është dhurata që Zoti u bën disa personave, sepse në planin e Zotit kjo dhuratë ka për qëllim realizimin e diçkaje. Nënë Tereza e provoi këtë “natë, ashtu siç e pat provuar shën Tereza e Liziësë. Ndërmjet tyre ka shumë ngjashmëri. Mendoni se shën Tereza e Liziësë i shkruante eprores: “Kur mendoj për Parajsën nuk ndjej asnjë gëzim. E pra, kam jetuar gjithnjë në pritje të Atdheut qiellor! E kur i këndoj Parajsës, i këndoj asaj që dua të besoj”. Është diçka që të bën të mendosh! Edhe Nënë Tereza ka provuar të njëjtën gjendje. Zoti ka dashur t’ia heqë gëzimin e perceptueshëm e në të ka mbetur vetëm feja e pastër, besimi që bën të gëzohet zemra e Zotit, besimi që të bën më të pjekur. Mund të pyesim: përse? Po jap një përgjigje, përgjegjësinë e së cilës e marr përsipër krejtësisht. Nënë Tereza ishte bërë ndoshta personazhi më i famshëm i botës. Sigurisht që ishte më e njohur se figurat më të mëdha të epokës së vet. Ka marrë çmime që asnjë personazh – as këngëtarë, as aktorë, as sportistë – nuk i kanë marrë. Nënë Tereza mund të tundohej nga mendjemadhësia. Zoti, pikërisht pse e donte shumë, e mbrojti në një farë mënyre, nëpërmjet kësaj sprove, nga tundimi i mendjemadhësisë, duke bërë që ta ndjejë veten të vogël, në mënyrë që vazhdimisht të kapej pas Zotit.
Dikush mund të shkandullohet nga këto letra…
Mund të shkandullohet kush nuk e njeh kontekstin. Kush e njeh dinamizmin e shenjtërisë, nuk shkandullohet, përkundrazi: akoma më shumë admiron fenë që ecën në errësirë; besimin në Zotin që nuk ndalet para errësirës, sepse e di që përtej ka përsëri dritë. Siç thoshte Benedeta Bianki Porro: “Nganjëherë, sipër meje mblidhen re deri në atë pikë sa unë nuk shoh më diellin. Por, sa më të dendura të jenë retë, aq më shumë unë jam e sigurtë se mbi to dielli shkëlqen akoma”. Kush e njeh jetën e Nënë Terezës nuk shkandullohet, por mbushet me admirim.
Ndoshta vetë Nënë Tereza e shpjegon këtë “natë të errët të shpirtit” të vet, duke na dhënë të kuptojmë se edhe kjo periudhë dyshimesh bën pjesë në lumnitë: e lume deri në dhimbje. Ta dëgjojmë në lutje…
Lumnitë janë me të vërtetë fryt i fesë.
Beso, ata do ta shohin Zotin…
të pastrit në zemër,
Një zemër që është e lirë,
që e do Zotin
me dashuri të pandashme.
Zemër e pastër
Është zemra që shërben
Një zemër e pastër,
që është e lirë të japë
të dojë,
derisa të ndjejë dhimbje
 







All the contents on this site are copyrighted ©.