2007-09-04 17:21:22

Filluan sot në Sibiu të Rumanisë, punimet e Asamblesë së Tretë ekumenike evropiane.


(04.9.2007 RV)RealAudioMP3 Të krishterët e kontinentit të vjetër që sot e deri të dielën e ardhshme diskutojnë së bashku mbi temën: “Drita e Krishtit shndrit të gjithë. Shpresa e ripërtëritjes dhe bashkimi në Evropë”. Në këtë ngjarje të rëndësishme ekumenike të Sibiut, që pason takimet e Bazelit më 1989 dhe të Gracit më 1997, marrin pjesë 2000 delegatë katolikë, ortodoksë, anglikanë e protestantë.
Për gjashtë ditë me radhë, pjesëmarrësit e Asamblesë së Tretë ekumenike përmes takimeve, forumeve e momenteve të lutjeve të përbashkëta, do të përshkojnë udhën e kërkimit të rrënjëve kristologjike të bashkësive të ndryshme të krishtera, të bindur se kthimi i përbashkët te Krishti është kushti i parë për të vijuar udhën drejt bashkimit të plotë.
Në fillim të mijëvjeçarit të tretë, të krishterët evropianë janë të ndërgjegjshëm se janë të thirrur ta dëshmojnë së bashku fenë e tyre në një kontekst të shënuar nga relativizmi e indiferenca, sikur kujtoi Papa Benedikti XVI në janar të vitit 2006 duke takuar Komisionin përgatitor të Sibiut.
“Na takon ne, dishepujve të Krishtit, detyra për të ndihmuar Evropën të ndërgjegjësohet për këtë veçori të vetën, atë të përgjegjësisë së mbledhjes e përfaqësimit të popujve. E prania e jonë si të krishterë do të jetë me ndikim dhe ndriçuese vetëm nëse do të kemi guximin të përshkojmë me vendosmëri udhën e pajtimit e të bashkimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.