2007-09-03 17:52:17

Kalendari Kishtar më 3 shtator, përkujton shën Gregorin e Madh, Papë e Doktor të Kishës, 'Të shërbesh për dashuri'!


(03.9.2007 RV)Kalendari i Kishës romake, sot më 3 shtator, përkujtoi shën Gregorin e Madh, Papë e Doktor të Kishës ( lindi në vitin 540, vdiq më 604). Figura e tij e Veçantë, mund të themi unike, është shembull për të gjithë, si për barinjtë poashtu dhe për nëpunësit e autoritetet e administratës civile, pse shën Gregori Papë e jetoi autoritetin si shërbim, në një sintezë kundrimi dhe veprimi.”
Shën Gregorit të Madh, që jetoi prej 540 deri në 604 mbas K., në fillim qe Prefekt i Romës, kur ishte vetëm 30 vjeç, pastaj murg e në fund Ipeshkëv e Papë. “Si funksionar perandorak shën Gregori u dallua për aftësi administrative edhe dinjitet moral”, si murg u zgjodh nga Papa si përfaqësues i tij pranë Perandorit të Lindjes, duke mbajtur gjithmonë “një stil jete mungare, me thjeshtësi dhe varfëri”.
Në fund, shpallur si mëkëmbës i Krishtit “ shën Gregori kërkoi me çdo mënyrë t’i ikte atij emërimi, por iu desht të dorëzohej në fund dhe, pasi la kuvendin, iu kushtua bashkësisë kishtare, i vetëdijshëm se po përmbushte një detyrë dhe se ishte thjeshtë “një shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit.”
“Nuk është me të vërtetë i përvuajtur — shkruante shën Gregori — ai që kupton se duhet të jetë në udhëheqje të tjerëve në saje të vullnetit Hyjnor dhe megjithatë e përçmon këtë punë të dorës së parë, këtë epërsi. Por përkundrazi, nëse u nënshtrohet udhëzimeve hyjnore dhe heqë dorë nga këmbëngulja e vet dhe është i pajisur me ato dhanti me të cilat mund të ndihmojë të tjerët, kur i caktohet dhe imponohet posti më i lartë i qeverisjes së shpirtërave, ai edhepse me zemër duhet t’i shmanget pushtetit, por edhe pse është kundër dëshirës personale, duhet t’i bindet, pra të jetë i dëgjueshëm kur pushteti është për të mirët e tjerëve dhe të përbashkët.” (Rregulli baritor, I, 6)
Shën Gregori i pau pushtimet barbare të kohës me besim: “Me një largëpamësi profetike, Gregori kuptoi se një qytetërim i ri po lindte nga trashëgimia romake dhe të ashtuquajturit “barbarë” falë forcës bashkuese dhe ngritjes morale të Krishtërimit. Jeta murgare po shfaqej si një pasuri jo vetëm për Kishën por edhe për krejt shoqërinë.” Shën Gregori i Madh Papë ishte i ligësht nga shëndeti por i fortë nga bindjet morale, zhvilloi një veprimtari të gjerë baritore dhe qytetare. Eshtë edhe autor i shumë ligjeve e kanuneve kishtare në fushën e liturgjisë, të këngës së shenjtë, e në këtë fushë është e famshme reforma e këngës liturgjike, që prej emrit të tij u quajt “kënga gregoriane”, përouoi Sakramentarin që bartë gjithnjë emrin e tij e që përbënë pjesën themelore të Mesharit Romak. La shumë shkrime me karakter baritor, shpirtëror, moral e predikime që formuan brezni të tëra të krishtèra e posaçërisht në Mesëjetë.
Shën Gregori Madh, Papë u dallua për shenjtëri jete e mësime të mëdha doktrinore.
Shën Gregori na mëson se jeta e një bariu shpirtrash duhet të jetë një sintezë e drejtëpeshuar e kundrimit dhe veprimit, e gjallëruar nga dashuria që “prek maja shumë të larta kur përkulet me mëshirë mbi të këqijat e rënda të të tjerëve. Aftësia e tij për t’u përkulur mbi mjerimin e të tjerëve është masa e forcës së vrullit drejtuar nga lart” (II, 5), shkruan Shën Gregori.







All the contents on this site are copyrighted ©.