2007-09-03 17:49:55

“Me Nënë Terezën”, 'Dega kundruese e Misionareve të Dashurisë!',emisioni 28-të


(03.9.2007 RV)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar ja përsëri në takimin tonë përditshëm radiofonike me të Lumen Nënë Terezën. Pas të shtunës e të dielës, po vazhdojmë përsëri bisedën tonë për t’u njohur nga afër e sa më tepër me jetën, me tiparet dhe me veprimtarinë e Kongregatës së Misionareve të Dashurisë, pra të Motrave rregulltare të themeluara nga e Lumja Nënë Terezë. Në emisionin e sotëm të 28-të radiofonik “Me Nënë Terezën”, do të flasim mbi degën femërore të familjes rregulltare të Misionareve të Dashurisë, e pikërisht mbi degën e Motrave Kundruese, sipas pohimit të Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Gojaxhiu në lirbin “Jeta ime”.
“Në familjen tonë rregulltare gjithashtu llogarisim edhe në motrat e Fjalës. Janë dega jonë kundruese.
Cdo ditë ato bëjnë tri orë lutje në shtëpi e një orë tjetër në Kishën famullitare.
Pastaj, për dy orë, dalin jashtë e flasin për Jezusin.
Jo që flasin publikisht, nëpër rrugë e nëpër sheshe të mbushura përplot me njerëz. Thjesht, kufizohen t’u flasin për Jezusin atyre që dëshirojnë t’i dëgjojnë.
Njerëzit digjen nga dëshira për të dëgjuar ata që u flasin për Zotin Tonë.
Do të më pëlqente të tërhiqesha në mesin e këtyre Motrave për të kaluar një jetë kundruese. Për të ndejur me Jezusin: asgjë tjetër përveç kësaj.
Gjithmonë kam dashur të ishe një kundruese: të rrija me Jezusin tërë ditën, të mendoja vetëm për Të, të flisja vetëm për Të.
Njëra prej detyrave të këtyre Motrave Kundruese është pikërisht dalja nga shtëpia për t’i folur për Jezusin çdo njeriu që duket i gatshëm t’i dëgjojë.
Kushtetuta e Misionareve të Dashurisë pohon: “Kundrimi është dhuratë që Hyji i bën çdo Misionareje të Dashurisë. Jeta jonë kundruese është thjesht të ndërgjegjësohemi se gjendemi në praninë e përhershme e të ëmbël të dashurisë që Hyji na dëshmon në gjërat e vogëla të jetës”.
Përgjigjia jonë ndaj kësaj dashurie duhet të jetë kjo: të “jemi vazhdimisht në disponim të tij, ta duam me gjithë zemrën tonë e me forcën tonë, pavarësisht se si na dëftohet e dëshmohet kjo dashuri.”
Kundrimi ynë do të plotësohet duke kërkuar fytyrën e Zotit në të gjitha gjërat, në të gjithë njerëzit, në çdo vend e gjithmonë, e duke kërkuar e rikërkuar dorën e tij në atë që ndodhë.
Një njeri më pyeti se pse kemi filluar e hapur një institut të ri të Motrave të Fjalës në Shtetët e Bashkuara të Amerikës në vend që këte ta bënim në Indi, ku banojnë e punojnë, e prej nga edhe vijnë, shumica e Motrave tona.
Sa më përket mua, përgjigjia është shumë e thjeshtë: sepse në SHBA ka ardhur koha për një ngjarje e punë të këtillë, derisa nuk është kështu në Indi.
Kjo nuk do të thotë, natyrisht, se instituti i kësaj natyre duhet të përkufizohet vetëm në SHBA, me qenëse nuk përjashtohet që të mund të hapim shtëpi edhe në pjesë tjera të botës.
Rishtaret (noviciet) e degës kundruese të rregullit tonë bëjnë çdo ditë tetë orë lutje.
Edhe ato dalin nga shtëpia për dy apo tri orë në ditë për t’u folur për Jezusin të gjithë atyre që janë të gatshëm t’i dëgjojnë.
Ato nuk u flasin grupeve, por individëve që janë të ulur nëpër banka të kopshteve, në spitale, të sëmurëve.
Spitalet ofrojnë mundësi të mrekullueshme për bashkëbiseda shpirtërore. Të sëmurët kanë kohë për t’u lutur e shpesh presin me shumë mall ndokënd që t’u flasë atyre për Zotin.
Edhe une personalisht një ditë takova një të ri të sëmurë i cili më rrëfeu se kishte vështirësi të besonte në Jezu Krishtin e se nuk lutej.
I dhash një libër.
Kur e takova përsëri, më tha se e kishte lexuar e se vështirësitë që kishte ishin zhdukur. Tashmë nuk kishte më dyshime.







All the contents on this site are copyrighted ©.