2007-09-02 19:31:28

Pëfundoi në Loreto takimi i të rinjve me Papën. Benedikti XVIu tha: të dashur të rinj, refuzoni elemente negative e zgjidhni në jetë elemente pozitive e për mbrojtje të Krijimit.


(02.09.2007 RV)RealAudioMP3 Përfundoi sot në Loreto, takimi i të rinjve me Papën Benedikti XVI, një takim i përjetuar intensivisht në këto dy ditë të fillimit të shtatorit, në një atmosferë festive, por edhe reflektimi të thellë për rolin dhe vendin e të rinjve në Kishë e shoqëri.
Përvujtëria si rrugë kryesore që shpreh guximin e njerëzve e jo indiferencën e tyre. Benedikti XVI e propozoi sot paradite, duke kremtuar Meshën në pllajën e Montorsit për rreth 500 mijë të rinjtë, pjesëmarrës në Agorà-në e Loretos, e cila përfundoi sot pasdite pikërisht pranë shenjtores mariane. Papa i ftoi të shkojnë kundër rrymës, të jenë kritikë ndaj modeleve të jetës që përshkohen nga arroganca, të preferojnë rrugët alternative që u tregon atyre Dashuria e vërtetë, që është Zoti. Ndër të tjera, të rinjve, Ati i Shenjtë u besoi të ardhmen e planetit, në të cilin janë të qarta shenjat e një zhvillimi që jo gjithnjë ka ditur të ruajë ekulibrat delikate të natyrës. Ndër të pranishmit në liturgji, presidenti i Konferencës Ipeshkvnore italiane, imzot Anxhelo Banjasko dhe zv.kryeministri italian Françesko Ruteli.
Para se të jetë vonë, duhet të ndërmarrim masa të guximshme, që të dinë të rikrijojnë një aleancë të fortë ndërmjet njeriut dhe tokës. Thirrja e Papës iu drejtua të rinjve vetëm 24 orë pas kremtimit të Ditës italiane për mbrojtjen e Krijimit, të promovuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane:
Na duhet një “po” i vendosur për mbrotjen e Krijimit dhe një impenjim i fortë për të kthyer mbrapsht prirjet që rrezikojnë të sjellin gjendje degradimi të patjetërsueshme.
Pas natës së kaluar në qiellin plot yje e pas lutjeve të mëngjesit, populli i Agorà-së – gjysëm milion të rinj të ardhur nga e gjithë Italia, nga vendet evropiane dhe mesdhetare – e priti Papën në festë. “Jezusi preferon të rinjtë – tha Benedikti XVI – respekton lirinë e tyre, por nuk lodhet kurrë së propozuari horizonte më të larta për jetën: risinë e Ungjillit dhe bukurinë e një jete të rregullt. Edhe sot, Zoti kërkon zemra të rinjsh”. Që këtej, një thirrje e re për të qenë shenjt si shën Maria. Karateristika kryesore e kësaj vajze ishte pikërisht përvujtëria, e në sajë të kësaj karakteristike, Zoti bëri të mundur në të, atë që mund të duket e pamundur. Por, ironizoi Papa, ky është një virtyt “jashtë mode” në kohën e sotme. Njeriu i përvuajtur konsiderohet si qyq, si një person i mundur nga jeta. Pikërisht për këtë, të rinjve u duhet të ecin kundër rrymës, përballë të gjitha modeleve që i thuren lavde arrogancës e prepotencës, suksesit me çdo kusht, dukjes në vend të qënies:
Mos kini frikë, të dashur miq, të preferoni rrugët “alternative” të treguara nga dashuria e vërtetë: një stil jetese të thjeshtë e solidar; marrëdhënie dashurie e miqësie të sinqerta e të pastra; një impenjim të ndershëm në studim e në punë; interes të thellë për të mirën e përbashkët.
Ata që qëndrojnë larg nga “mentaliteti i Ungjillit” – shpjegoi Papa – kanë nevojë të shohin dikë, që ka aq guxim sa të jetojë sipas humanitetit të plotë të shfaqur nga Jezu Krishti. Benedikti XVI mori shembullin e shumë shenjtërve të rinj si: shën Françesku i Asizit, shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, Maria Goreti e shumë shenjtë anonimë, por që nuk janë anonimë për Zotin. E pastaj vazhdoi: “Nuk mund të jemi dishepuj të Jezusit, nëse nuk duhet e nuk ndiqet Kisha, familja jonë”. Motivi themelor që bashkon besimtarët në Krishtin, nuk është suksesi, por e mira, një e mirë që është autentike vetëm kur ndahet me bashkësinë:
Kështu, ngrihet qyteti i Zotit me njerëzit, një qytet që njëkohësisht rritet nga toka dhe zbret nga qielli, sepse zhvillohet në takimin dhe bashkëpunimin ndërmjet njerëzve dhe Zotit.
Të ndjekësh Krishtin, tha më pas Papa, do të thotë të përpiqesh vazhdimisht për të dhënë kontributin tënd në krijimin e një shoqërie më të drejtë e solidare.








All the contents on this site are copyrighted ©.