2007-07-30 17:34:49

Një e treta e popullsisë në Irak ka nevojë të menjëhershme për ndihma, e lajme të tjera nga bota.


(30.07.2007 RV)RealAudioMP3 Raporti i hartuar nga organizata e bamirësisë Oxfam dhe një numër organizatash joqeveritare flet me shifra për krizën e thellë humanitare në Irak. Në këtë raport theksohet se tetë milionë vetë, afërsisht një e treta e popullsisë, kanë nevojë të menjëhershme për ndihma emergjence. Në Raport nënvizohet se 70% të irakianëve u mungon uji i mjaftueshëm, ndërsa një ndër tre fëmijë është i kequshqyer.

Braun takohet me Bushin në Kemp Dejvid Kryeministri britanik, Gordon Braun, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bisedimet e tij të para si udhëheqës me presidentin amerikan Xhorxh Bush. Ai pati një darkë private me zotin Bush në Kemp Dejvid, e cila u pasua me bisedime më zyrtare gjatë ditës së sotme. Bush kërkoi garanci nga Britania se nuk do të tërheqë trupat nga Iraku, ndërkohë që prania amerikane vazhdon. Braun pohoi se marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me SHBA-të "ngrihen mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe të mbrojtjes së dinjitetit të njeriut. E pikërisht për shkak të këtyre vlerave të përbashkëta, marrëdhëniet me SHBA janë jo vetëm të forta, por mund të fuqizohen më tej në të ardhmen.". Gjatë takimit presidenti Bush dhe kryeministri Braun prekën edhe temat më të mprehta të situatës ndërkombëtare, zhvillimet e fundit në Irak, Afganistan, Lindja të Mesme, Darfur, Kosovë, tema të shkëmbimeve tregtare dhe të ndryshimeve klimatike.ti







All the contents on this site are copyrighted ©.