Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Pantaleonin, mjek e martir.
(27.07.2007 RV)Pantaleoni lindi në gjysmën e shekullit III në Nikomedinë e
Bitinisë, Turqia e sotme. I jati, Eustorgji, ishte pagan, ndërsa e ëma, Eubula, e
krishterë. Eubula e edukoi të birin në fenë e vet, ndërsa i jati ia besoi mjekut të
famshëm Eufrozinit, nga i cili djaloshi e mësoi mjekësinë aq mirë, sa të fitonte admirimin
e vetë perandorit Maksimian, që e emëroi mjek të oborrit perandorak. Lidhi miqësi
të ngushtë me Ermolaon, i krishterë që e praktikonte fshehurazi fenë, për shkak të
persekutimit. Kjo lidhje shënoi kthesën e tij të madhe. Nga miku i krishterë mësoi
se ilaçi më i mirë, që shëron sëmundjet e korpit e të shpirtit, është Krishti. E ai
e kuptoi thellësisht këtë të vërtetë, kur arriti të ngjallte së vdekuri një fëmijë
të kafshuar nga nepërka, të cilën e bëri të ngordhte para syve të mrekulluar të atyre
që ishin të pranishëm. Qe mrekullia e parë – që e shtyu të ndiqte përfundimisht rrugën
e krishtërimit. Shumë mrekulli të tjera do të bënte më pas, sa ishte i gjallë e pas
vdekjes. Duke pasur një dashuri të jashtzakonshme për t’anë, përmes “ilaçit të lutjes”,
ia doli ta kthente edhe atë në fenë e Krishtit. Edhe historia e martirizimit të
tij nis e vijon me mrekulli: perandori bëri çmos ta rikthente mjekun e ri në rrugën
e idhujtarisë, duke e nxitur të adhuronte, perendinë e mjekësisë, Eskulapin, në vend
të Krishtit. Pantaleoni propozoi të organizohej një lloj gare ndërmjet tij e priftërinjve
paganë. Thirrën për këtë qëllim një njeri të paralizuar. Priftërinjtë paganë iu luten
me sa zë që kishin Eskulapit ta shëronte. Më kot. Ndërsa Shenjti iu lut me gjithë
zemër Krishtit e paralitiku u ngrit përsëri në këmbë. Mrekullia i mahniti të pranishmit,
shumë prej të cilëve u kthyen në fenë e krishterë. Por njëkohësiht ndezi edhe zilinë
e priftërinjve idhujtarë, të cilët e nxitën perandorin ta torturonte mjekun e ri,
derisa të rikthehej tek idhujt. Këtu historia e martirizimit merr trajtat e një romani,
në të cilin përfshihen edhe Ermolao e shumë të krishterë të tjerë. Vijojnë mrekullitë,
të cilat kanë thjeshtë karakter gojëdhanor, prandaj nuk pranohen nga kritika hagjiografike,
e cila i kushton shumë vëmendje vërtetësisë historike. Shenjti u dënua me një
vdekje të tmerrshme. Ia gozhduan të dy krahët në kokë e pastaj ia prenë. Ishte viti
305, data 27 korrik. Në këtë datë kujtohen edhe Ermolaou e shokët e tij. Shenjti është
Pajtor i qytetit italian Kremona, që e kremton më 10 qershor, ditë në të cilën, me
ndërmjetësinë e tij, shpëtoi nga murtaja.