Në festën e Shenjtorëve Joakini e Ana, kardinali Bertone foli për besnikërinë bashkëshortore.
(27.07.2007 RV)Të rinjtë e sotëm
po krijojnë një koncept të gabuar mbi jetën, që i zbeh shumë vlerat etike, në sa
vë në plan të parë vetëm kënaqësinë - këtë theksoi kardinali Tarçizio Bertone, sekretar
i Shtetit të Vatikanit dje pasdite, në Meshën shenjte kremtuar në Kishën e Shën Anës,
në Vatikan, me rastin e përkujtimit liturgjik të Shenjtorëve Joakini e Ana. Të moshuarit
– pohoi kardinali Bertone, duke kujtuar figurat e prindërve të Zojës së Bekuar – duhet
të dëshmojnë me shembullin e tyre, bukurinë që ka jeta e shëndoshë morale. Prandaj
mund të themi se detyra e pleqve është t’i inkurajojnë të rinjtë e të jenë për ta
shembull jete - tha kardinali Bertone, duke i paraqitur Joakinin e Anën si modele
që të ftojnë ta dëshmosh forcën e madhe të fesë e bukurinë e besnikërisë ndaj ligjeve
hyjnore e ndaj moralit bashkëshortor. Në homelinë e rastit, Hirësia e Tij theksoi
disa herë rolin që janë të thirrur të luajnë bashkëshortët:“Të moshuarit kanë pikërisht
detyrën të kumtojnë mrekullitë e Zotit, të tregojnë historinë e jetës së tyre, me
dritë-hijet e saj, natyrisht, por duke theksuar hiret që kanë pasur nga Zoti në të
mira e në të vështira. Duhet t’u tregojnë të rinjve se jeta mbi tokë është një shembëlltyrë,
që zhvillohet nën shikimin e Zotit. Që të jetohet me fund, jeta duhet të ngrihet
mbi vlera të forta, të patundshme, të amshuara, jo kalimtare e sipërfaqësore. Por,
për fat të keq, të rinjtë e kohëve tona rendin pikërisht pas vlerave të cekta etike,
të joshur siç janë nga hedonizmi. Çka të shqetëson më shumë sot – vijoi të theksonte
kardinali Bertone – është shpërbërja e familjeve pikërisht atëherë kur duhet të
ishin në kulmin e bashkimit, dmth kur bashkëshortët arrijnë në moshë të pjekur. Pikërisht
atëherë, kur kanë më shumë nevojë për dashuri, për ndihmë, për mirëkuptim, për bashkim
të anasjelltë, gjithçka shkatërrohet. Prandaj pleqtë, që kanë marrë edukatë të shëndoshë,
duhet ta dëshmojnë me jetën e tyre, me sjelljen e tyre, bukurinë e besnikërisë bashkëshortore
që zgjat gjithë jetën”. Pyetje: - Po si mund të rizbulohet sot vlera
e familjes? Ja ç’mendon kardinali Bertone: Përgjigje: - Përmes dëshmisë
së bashkëshortëve të moshuar, që tregojnë si kanë jetuar, si u kanë qëndruar besnikë
premtimeve bashkëshortore, vlerave të Ungjillit, pavarësisht nga vuajtjet e vështirësitë,
që nuk mungojnë kurrë. Njerëzit e moshuar nuk duhet të kenë frikë t’ua komunikojnë
të rinjve të sotëm vlerat, mbi të cilat kanë ngritur gjithë jetën e tyre, deri në
fund.