2007-07-26 18:57:37

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Joakinin e Shën Anën, prindërit e Zojës së Bekuar.


(26.07.2007 RV)Ana e Joakini janë prindërit e Virgjërës Mari. Joakini ishte bari e, së bashku me gruan e vet, Anën, jetonte në Jeruzalem, ku kryente edhe shërbimin priftëror në tempull. Po plakeshin pa fëmijë, kur Joakinit, që ishte duke punuar në arë, iu duk papritë një engjëll. I dha lajmin e gëzuar, gati të pabesueshëm, se së shpejti do t’i lindte një fëmijë. Të njëjtin vegim pati edhe Ana. Engjëlli e thirri me emër e i tha: “Ana, Ana, Zoti ta dëgjoi lutjen e ti do të lindësh një fëmijë, për të cilin do të flasë bota mbarë”. Vegimi u bë realitet e atyre u lindi një vajzë, të cilën e quajtën Mari, që do të thotë “e dashur nga Zoti”. Joakini e çoi në tempull, së bashku me dhjetë qengja, dymbëdhjetë viça e po aq keca pa asnjë të metë, sipas ligjit të Moisiut. Maria kaloi disa vjet në tempull, ku u edukua sipas ligjit të Moisiut.
Shën Ana është Pajtore e grave shtatzëna, të cilat i luten të ndërmjetësojë para Zotit për të nxjerë tri hire: së pari, për të lindur pa vështirësi; së dyti, për të nxjerrë në dritë një fëmijë të shëndoshë e së treti, për të pasur qumësht të mjaftueshëm, që ta ushqejnë foshnjën me gjirin e vet.
Ndonëse për Shën Anën kemi pak të dhëna në tekstet zyrtare e kanonike, kulti i saj është jashzakonisht i përhapur si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. S’ka qytet të madh që të mos ketë një Kishë kushtuar Shën Anës e emri i saj përsëritet në rrugët e rrugicat e qyteteve e të fshtatraave, në male e në pyje. E mbajnë mbretëresha e baresha, vajza e plaka, gra të çdo shtrese shoqërore e të çdo profesioni: është një nga emrat më të përhapur në mbarë botën, ashtu si emri i bijës së Anës, Maria. E kjo, sepse Ana mbajti në kraharuar atë, që do të ishte shpresa e botës, Nënën Virgjër të Shëlbusit të njerëzimit.
Emri Ana vjen nga hebraishtja Hannah që do të thotë ‘Hir’.
Shën Ana e Shën Joakini nuk kujtohen fare në Ungjijtë kanonikë. Të dhënat e para për ta i gjejmë tek Etërit e Kishës dhe tek Protoungjilli i Shën Jakut (apokrif i shekullit II). Në lindje - festa nisi të kremtohet më 25 korrik që në shekullin VI; më pas u shtri në perëndim, ku kremtohet gjithnjë më 26 korrik.
Dy shenjtorët bashkëshortë nderohen nga përshpirtëria popullore edhe si pajtorë të prodhimeve të ndryshme të kopshtijeve: barishteve, frutave e sidomos hardhive, që në këtë kohë kanë aq shumë nevojë për ujë. Kur bie shi në festën e Shën Anës, përshpirtëria popullore e konsideron si dhuratë qiellore nga Pajtorët.
Ikonografia i paraqet prindërit e Zojës së Bekuar me Bibël në dorë, duke i mësuar Psalmet Bijës së tyre, që ishte zgjedhur të ishte “e bekuar mbi të gjitha gratë!”.Kujtojmë se ashtu siç ka një ditë kushtuar nënave e një tjetër, baballarëve, tani ka edhe një ditë kushtuar gjyshërve. Është 2 tetori, festa e Engjëjve të Rojës, të cilëve u ngjasin aq shumë gjyshërit, kur mbrojnë nipërit. Por edhe 26 korriku është ditë vërtetë e përshtatshme për t’u shprehur gjyshërve mirënjohjen e solidaritetin, duke nderuar kështu urtinë që buron nga vitet e nga flijimet e panumërta për bijtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.