2007-07-26 19:45:51

Ballkani vatër zjarri nga të nxehtët


(26.07.2007 RV)Ballkani është kthyer në një vatër zjarri, në këtë rast, jo zjarr konfliktesh, po zjarr i vërtetë, që djeg pyje e kullota, shpesh duke kërcënuar edhe banesat e njerëzve.
Gjendja më e vështirë mbetet në Maqedoni, ku deri tani zjarri ka përfshirë rreth 3 mijë hektarë tokë. Shumë fshatra janë izoluar e flakët kërcënojnë edhe autostradat e hidrocentralin e Kozjakut. Kroacia, Sllovenia dhe Turqia kanë dërguar secila një Kanadair, avion zjarrfikës, në ndihmë të Shkupit.
Në Shqipëri, është vënë nën kontroll zjarri në zonën e Llogorasë, por mbeten akoma 4 vatra zjarri aktiv në këtë zonë. Vazhdon të digjet Karaburuni. Situata paraqitet më e vështirë në Gërmenj dhe në Valbonë ku, për mugesë mjetesh, flakët kanë shkrumbuar qindra hektarë pyje.
Qindra zjarre janë ndezur edhe në Malin e Zi, i detyruar të mbyllë kufirin me Kroacinë në Debelo Brdo. Gjendje e ngjashme në Kosovë, ku së paku 172 vatra zjarri janë akoma jashtë kontrollit.
Gjatë këtyre orëve, era ka rindezur zjarret që ishin fikur në Serbi me shumë mund e përpjekje. Epiqendra e emergjencës është provinca e Leskovacit. Beogradi po përdor ushtrinë për të kontrolluar gjendjen, në pritje të një avioni shumë të madh zjarrfikës nga Moska, i cili mund të mbajë deri në 40 ton ujë.








All the contents on this site are copyrighted ©.