2007-07-25 16:53:57

Papa vijon pushimet në Kadore, ku do të qëndrojë edhe tri ditë. Pas takimit me famullitarët, imzot Andrih thekson: fjalët e Atit të Shenjtë janë burim urtie baritore.


(25.07.2007 RV)RealAudioMP3 Sot paradite Papa nuk doli fare nga shtëpia e Lorencagos, ku punoi pothuajse gjithë kohën. Ndërsa dje pasdite bëri shëtitjen e zakonshme e tha Rruzaren shenjte në mes të blerimit. Por, për ditët e fundit të pushimit të Papës, të ndjekim të dërguarin e gazetës italiane ‘Avvenire’, Salvatore Maca:
Përgjigje: - Benedikti XVI, si zakonisht, dje pasdite, rreth orës 18.00 u largua nga vila e vogël e shkoi tek një nga vendet, ku ka qenë edhe pak ditë më parë, tek Kapela e Shëna Ndout Abat, pranë Lorencagos. Këtu tha Rruzaren e më pas shëtiti në parkun rreth kapelës. Nuk pritej të dilte, sepse dje shpërtheu një stuhi sa e rreptë, aq edhe e shkurtër. Mendohej, prandaj, se nuk ishte ditë e përshtatshme për të dalë. Po megjithatë Papa doli, për t’u rikthyer në shtëpi rreth orën 19. 15. Nuk u takua me njeri, sepse nuk pritej të dilte.

Pyetje: - Ndërsa dje paradite Ati i Shenjtë u takua me klerin e dioqezave të Beluno-Feltres e të Trevizos. Dy fjalë për jehonën e këtij takimi?
Përgjigje: - Duke folur me meshtarët, pas takimit, mund të them se të gjithë ishin shumë të kënaqur. Nënvizuan rëndësinë e fjalëve të Papës, sidomos përsa i përket punës baritore e problemeve shumë konkrete, si dialogu me emigrantët, me të rinjtë, edukimi, shërbimi meshtarak.

Por, për jehonën e këtij takimi, flet, në mikrofonin e Radios sonë, edhe imzot Gjuzepe Andrih, ipeshkëv i Beluno-Feltres:
Përgjigje: - Do të na mbetet vërtetë i paharrueshëm ky takim, për thjeshtësinë dhe thellësinë e tij. Na dha mundësinë të thellohemi në përmasën e veprimtarisë baritore të Kishës sonë e të meshtarëve tanë, për t’i bërë të aftë të jenë barinj e jo burokratë.
Pyetje: - Papa preku kryesisht temën e punës baritore me rininë, që e ka shumë për zemër…
Përgjigje: - Natyrisht, e në mënyrë të posaçme dua të theksoj se u përpoq të shpjegonte arsyen e vuajtjes shpirtërore të shumë të rinjve, që fshihet pas një sjelljeje në dukje të çkujdesur. Kjo vuajtje i shtyn drejt dëshpërimit, që Papa e quajti jetë pa kuptim, pasojë e kulturës së sotme, që nuk është në gjendje t’i japë përgjigje problemeve reale, posaçërisht të të rinjve që kanë etje për lumturi. E Papa preku edhe temën e vetvrasjeve e të vdekjeve në rrugë për shkak të qëndrimit të çkujdesur në timon, në përpjekjen e kotë për të provuar emocione të forta, që sigurisht nuk mund të japin kënaqësi, e aq më pak, lumturi. Përkundrazi, çojnë në vdekjen e parakohshme.
Pyetje: - Imzot, tema kryesore për të cilën foli Papa, ishte ajo e punës baritore. E Ati i Shenjtë theksoi se meshtari nuk është nëpunës i Kishës:
Përgjigje: - Natyrisht, e kjo pikë, edhe sipas meshtarëve me të cilët fola, ishte themelore sepse ndodh shpesh që, për arsye të pakësimit të numrit të priftërinjve, detyrohemi të pranojmë një tip të ri organizativ, që i vë meshtarët në shërbim të të gjithëve e krijon shqetësimin e tepruar të disave prej tyre për punën organizative. E kjo i largon disi nga ajo që për ta është themelore: nga shërbimi ndaj Ungjillit dhe edukimi i botës me dashurinë e krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.