(25.07.2007 RV)Grupi i Kontaktit, i përbërë nga SHBA-të, Rusia, Britanna e
Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, diskuton sot për negociatat serbo-kosovare, që
duhet të përcaktojnë statusin e ardhshëm të Kosovës. I dërguari i OKB-së, Marti Ahtisari
ka deklaruar se misioni i tij ka përfunduar. Nuk dihet akoma nëse çështja e Kosovës
do të zgjidhet brenda Grupit të Kontaktit, i cili po fillon sot maratonën 120-ditore
Beograd-Prishtinë, apo nëse pas 120 ditësh rezultatet e bisedimeve do t’i kalojnë
sërish Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për një rezolutë dhe një mandat të njohur
nga krejt bashkësia ndërkombëtare. Ky i fundit do të ishte opcioni i preferueshëm
për Bashkimin Evropian, por jo aq i rëndësishëm për SHBA-të. I dërguari amerikan për
Ballkanin, Frenk Uisner, deklaron sot për një gazetë kosovare se, duke parë përvojën
e javës së kaluar dhe mundësinë e vetos së Rusisë, amerikanët nuk mendojnë se Këshilli
i Sigurimit do të ishte rruga më e vlefshme. Nga ana tjetër, zëvendësi i Ahtisarit,
Albert Rohan, vuri në dukje sot nga Vjena se përjashtimi i Këshillit të Sigurimit
do të sillte një dobësim të dukshëm të aftësisë së OKB-së për zgjidhjen e konflikteve,
por pranoi se arritja e një marrëveshjeje serbo-kosovare do të ishte e mundur vetëm
nëse të dyja palët do të ndryshonin rrënjësisht qëndrimet e tyre. Përsa i përket shpalljes
së njëanshme të pavarësisë, Rohan sqaroi se ajo do të kishte sukses vetëm nëse Kosova
do të njihej si shtet nga shumë vende të botës, përndryshe do të pësonte fatin e Republikës
turke të Qipros, e cila nuk njihet nga asnjë shtet tjetër, përveç Turqisë.