(25.07.2007 RV)Figurën e Shën Jakut, për të cilin Benedikti XVI foli në audiencën
e përgjithshme të 21 qershorit 2006, po e shikojmë në këndvështrimin e porosisë së
Papës: të mësojmë nga Shën Jaku gatishmërinë për ta ndjekur pas Jezusin, sepse rruga
e jetës së tij simbolizon gjithë shtegtimin e jetës së krishterë. Shën Jaku u quajt
"i madh" për ta dalluar nga apostulli tjetër i Jezu Krishtit, me të njëjtin emër.
Ishte i biri i Xebedeut dhe vëllau i madh i Gjonit. Jezusi e zgjodhi atë, së bashku
me Pjetrin e Gjonin, që të ishin dëshmitarë të disa ngjarjeve të jashtzakonshme, siç
janë shërimi i vjehrrës së Shën Pjetrit, ringjallja e së bijës së Jairit, shndërrimi
mbi Malin Tabor dhe agonia në kopshtin e ullinjve në Gjetseman. Jaku ishte peshkatar
i thjeshtë e, ashtu si Pjetri, iu përgjigj me gatishmëri thirrjes së Jezusit, duke
lënë varkën e babain me shegertët. Ndoqi, kështu, gjurmët e Krishtit, duke braktisur
skemat që të krijojnë siguri. Zelli i tij për të ecur pas Krishtit ishte aq i rrëmbyer,
sa Jezusi i quajti atë e të vëllaun “Boanerghes”, bijtë e bubullimës. E kjo ndoshta
sepse të bijtë e Xebedeut janë protagonistë të ngjarjes që ndodhi në një fshat samaritanësh,
banorët e të cilit nuk deshën ta mikpresin Jezusin. “Zot, a dëshiron të themi që të
zbresë zjarr nga qielli e t’i bëjë hi e pluhur?” - pyesin dy nxënësit, në sa Zoti
u përgjigjet me një qortim. Në se kundërveprimi i Jakut e i Gjonit diktohet nga dashuria
për Mesinë, Jezusi mëson mospërdorimin e dhunës, mësim që sot, kur vëmendja e gjithë
popujve është përqëndruar rreth Tokës ku u zhvilluan ngjarjet për të cilat po flasim,
tingëllon më aktual se kurrë. Nxënësi mësoi ç’kishte ndër mend të bënte Mesia, kur
e pa të shndërrohej mbi malin Tabor dhe pastaj në agoni, në Kopshtin e Ullinjve. Por
përvoja e vërtetë, që e çoi drejt pjekurisë, qe ajo e Kryqit. Apostullit iu desh
të parandjejë se Mesia, i pritur si ngadhënjimtar, në të vërtetë nuk ishte i rrethuar
vetëm me nderime e lavdi, por edhe me vuajtje e ligështi, se lavdia e Krishtit realizohet
pikërisht në Kryq, në pjesëmarrjen e Tij ndër vuajtjet tona”. Pasi kërkon një
trajtim të posaçëm në mbarimin e kohës, mëson edhe se të ndjekësh Krishtin do të thotë
të pish së bashku me të një kelk tepër të hidhur. E Jaku e piu me të vërtetë kelkun!
Viktimë e persekutimit të parë judaik pas Rrëshajëve, gjatë të cilit qe burgosur e
qe rrahur mizorisht, u martirizua në vitin 42 pas Krishtit nën Herodin Agripa. Ky
është edhe lajmi i fundit që na jep Besëlidhja së Re për Jakun e Madh. Nga përvoja
e Shën Jakut Apostull mësojmë gatishmërinë për ta pranuar thirrjen e Jezusit edhe
kur na kërkon ta lemë varkën e sigurive tona njerëzore, mësojmë se duhet ta ndjekim
me entuziazëm në rrugët që na tregon, larg çdo mendjemadhësie; mësojmë se duhet ta
dëshmojmë me guxim, e në se është e nevojshme, deri në flijimin më të lartë, deri
në dhurimin jetës”. Sipas traditës, Shën Jaku ungjillëzoi Spanjën e trupi i tij
pushon në paqe në Santiago të Kompostelës, ku sot festa e Apostullit u kremtua me
madhështi. U paraqit, si çdo vit “ofrenda” apo lutja tradicionale drejtuar Apostullit.
Në kremtimin, tashmë shumshekullor, ndërthuren tradita shpirtërore e folklorike, që
ndiqen nga shtegtarë të cilët nisen nga të katër anët e botës, për t’u bashkuar në
lutje pranë varrit të Apostullit. Katër janë rrugët që çojnë në Santiago, të cilat
në Puente la Reina takohen e bëhen një rrugë e vetme…”. me këto fjalë nis “Doracaku
i shtegtarit të Santiagos”. E shtegtarët evropianë që prej dhjetë shekujsh vijojnë
të ecin në këmbë nëpër të katër rrugët, për t’u pastruar shpirtërisht tek Varri i
Apostullit të madh, Pajtorit të Spanjës, të shtegtarëve, të kalorësve e të njerëzve
që vuajnë nga reumatizmi. Prandaj simbolet e Shenjtit janë kapela e shtegtarit dhe
guaska e detit.