2007-07-24 17:02:55

Telegram ngushëllimi i Papës për shtegtarët polakë që humbën jetën në aksidentin e Grenoblës.


(24.07.2007 RV)RealAudioMP3 Që dje Polonia është në zi për vdekjen e 26 shtegtarëve që humbën tragjikisht jetën dy ditë më parë pranë qytetit francez Grenoblë, pasi autobusi me të cilin udhëtonin, u përmbys nga një urë. E në këtë hidhërim merr pjesë edhe Papa, i cili nis nga Lorencago e Kadores një telegram me nënshkrimin e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, drejtuar metropolitit të Szecin-Kamien, imzot Kaminskit. “Udhëtimi i shtegtarëve – lexohet në telegram – u ndërpre dramatikisht në rrugën e kthimit nga La Salette, që për shumë prej tyre u bë rruga e fundit e shtegtimit tokësor. Na ngushëllon besimi në Mëshirën Hyjnore, që na shtyn të mendojmë se tashmë duhet ta kenë gjetur cakun e tyre në lumninë e Atit të amshuar. Për gjithë të vdekurit - lexohet akoma – Papa i lutet Zotit t’u japë dhuratën e jetës së pasosur në gëzimin e bashkimit me Krishtin, ndërsa uron që të plagosurit të rifitojnë sa më parë shëndetin e plotë e familjet e viktimave – të gjejnë guxim e ngushëllim edhe në këto çaste kaq të dhimbshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.