2007-07-24 18:25:22

Nesër Grupi i Kontaktit për Kosovën. Rusia: baza është rezoluta 1244, jo plani i Ahtisarit


(24.07.2007 RV)Grupi i Kontaktit përgatitet të fillojë nesër mbledhjen e parë të maratonës 120 ditëshe, e cila duhet të ulë në tryezën e bisedimeve kosovarët dhe serbët për gjetjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Do të jetë e vështirë që palët të merren vesh ndërmjet tyre, por edhe më e vështirë do të jetë përcaktimi i një qëndrimi unik ndërmjet 27 vendeve evropiane, me Rusinë gati të kundërshtojë çdo lloj propozimi që edhe së largu premton pavarësinë e vendit.
Në mbledhjen e djeshme të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel dolën në pah tri kërkesa kryesore: së pari, fillimi i bisedimeve të vlefshme serbo-kosovare, që të zgjasin rreth 120 ditë; së dyti nevoja e përfshirjes më të madhe të Evropës në proces, nëpërmjet krijimit të Trojkës SHBA-Rusi-BE, e cila duhet të udhëheqë bisedimet për tre muaj; së treti, arritja e një qëndrimi unik brenda Bashkimit Evropian dhe mbajtja e tij në kohë.
Ftesa për ta marrë punën më ngadalë duket se është pranuar edhe nga Uashingtoni, i cili, pavarësisht se konfirmoi gatishmërinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, i ftoi dje kosovarët në takim me sekretaren e shtetit Kondolica Rajs, të shmangin shpalljen e pavarësisë para se të përfundojnë 120 ditët e Grupit të Kontaktit. Ekipi i Unitetit, me në krye presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, deklaroi se nuk do të bëjë asnjë hap përpara në atë drejtim, pa konsultuar më parë aleatët.
Se përse kosovarët duhet të presin, e sqaroi dje pa doreza ministri italian i Punëve të Jashtme, Masimo D’Alema. “I takon Bashkimit Evropian – tha ai – të marrë përsipër peshën financiare të një operacioni ndërkombëtar që është vlerësuar në tre miliard euro në vit”. Pa këto miliarda, “Kosova nuk shkon askund”.
Ndërkaq, Moska nuk ka pritur shumë për të shpalosur qëndrimin e saj. Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi sot se baza mbi të cilën duhet të punojë Grupi i Kontaktit është rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, ku nuk cënohet sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën, e jo plani i Ahtisarit.







All the contents on this site are copyrighted ©.