2007-07-24 17:02:39

Gëzim e vëmendje - në takimin e Benediktit XVI me klerin trevinjan e belunez.


(24.07.2007 RV)RealAudioMP3 Një grup fëmijësht me lule në duar në prag të Kishës së Shën Gjystinës e, brënda në Kishë, rreth 400 meshtarë nga dioqezat e Beluno-Feltres e të Trevizos. Kjo ishte skena që gjeti Benedikti XVI kur arriti sot, në orët e vona të paradites, në Auronco të Kadores për takimin me klerin vendas. Ishte një shkëmbim pyetje-përgjigjesh, që nisi me kremtimin e Orës së gjashtë e përfundoi rreth orës 13.00. Për përmbajtjen e takimit flet, në mikrofonin e Radio Vatikanit, drejtori i përgjithshëm yni dhe i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi:
Përgjigje: - Dhjetë pyetje, të bëra nga dhjetë meshtarë të ndryshëm, që prekën disa argumente. Disa prej këtyre argumenteve ishin problemi i formimit të të rinjve dhe i ndërgjegjes së tyre morale, problemet e jetës meshtarake, përparësia e shërbimit baritor në situatën aktuale të Italisë e në evolucionin e situatës historike aktuale. Por u prekën edhe disa tema me rëndësi për të sotmen, si ungjillëzimi e dialogu: dialogu plot respekt me fetë e tjera, në kushtet e emigracionit gjithnjë në rritje, por edhe çështja – përherë delikate, që ka të bëjë me shumë njerëz, e edhe me shumë meshtarë – e të divorcuarve që janë rimartuar ose që bashkëjetojnë e prej këndej, edhe pyetja si mund të pajtohet mëshira me të vërtetën; pastaj u prek edhe tema e Koncilit, e besinikërisë ndaj Koncilit dhe ndaj frymës së tij. Argumente të shumta e të ndryshme që Papa i ka prekur edhe herë të tjera në fjalimet e dokumentet e tij, por që i thelloi përsëri, në sa meshtarët e pranishëm ndiqnin me vëmendje të jashtzakonshme çdo fjalë që delte nga buzët e Benediktit XVI.
Pyetje: - Në ç’atmosferë u zhvillua takimi?
Përgjigje: - Ishte një atmosferë gëzimi të madh e vëmendjeje të madhe. Të pranishmit ishin rreth 400 meshtarë, ardhur nga dy dioqezat. Papa iu përgjigj me qartësinë dhe shpejtësinë e tij të zakonshme të gjitha pyetjeve që iu drejtuan e që shprehnin mirë – besoj – shqetësimet që kishin në zemër priftërinjtë. Vëmendja ishte shumë e madhe. Pati edhe një duartrokitje të fuqishme gjatë zhvillimit të takimit e, natyrisht, edhe në përfundim të tij.
Pyetje: - Mund të themi, atëhere, se Papa ishte i kënaqur në përfundim të këtij takimi?
Përgjigje: - Sigurisht. Më duket se të gjithë u ndanë të kënaqur: meshtarët nga njera anë e Papa nga ana tjetër. Për Papën takimi me meshtarët është gjithënjë një çast shumë i bukur. E ka thënë edhe ai vetë. E nuk ishin vetëm ata që e falënderuan Atin e Shenjtë, por edhe ai i falënderoi për mikpritjen e për atmosferën e këtij takimi.Menjëherë pas takimit me klerin, Benedikti XVI u drejtoi fjalën atyre që e prisnin para Kishës së Auroncos. Të dëgjojmë, në mikrofonin e radios sonë, të dërguarin e gazetës italiane ‘Avvenire’, Salvatore Macën:RealAudioMP3
Përgjigje: - Ishte një çast shumë spontan. Papa tha: “Jam i gëzuar që mund t’ju përshëndes në këtë vend të mrekullueshëm, në këtë tokë kaq të bukur të Dolomiteve, që më krijoi kushte të pushoj në trup e në shpirt”. Më pas Ati i Shenjtë shtoi: “Pata mundësi të thith jo vetëm ajrin që na e ka falur Krijuesi, por edhe ajrin e miqësisë e të përzemërsisë, për të cilat ju jam mirënjohës ju të gjithëve”. Ishin fjalë të dala nga zemra, fjalë të ngrohta këto, me të cilat Papa falënderoi banorët e vendit për mikpritjen vërtetë prekëse.
Pyetje: - Në Auronco të Kadores Papën e pritën më se 3 mijë veronjës e vendas. Ishte hera e parë që Ati i Shenjtë shkonte në Auronco, prandaj për vendin kjo ishte vizitë historike….
Përgjigje: - Sigurisht, e si zakonisht, u prit me ngrohtësi të madhe, që vetë Papa e nënvizoi më pas. Turma ishte mbledhur para Kishës që në nëntë të paradites e priti aty me durim tri orë, derisa Ati i Shenjtë përfundoi takimin me meshtarët.
Pyetje: - Posaçërisht Papa u shtrëngoi dorën të moshuarve, handikapatëve e fëmijëve të vegjël….
Përgjigje: - Grupi i parë që përshëndeti Papa ishte ai i të moshuarve e i handikapatëve, që prisnin në anën e mëngjër të portës së hyrjes, e pastaj, fëmijët që kishin përgatitur edhe një dhuratë për Benediktin XVI. Ishte një shportë me lule mali, që ia dorëzoi vajza më e vogël e grupit, veshur me kostum tradicional malësor. Papa i përkëdheli një për një fëmijët e pastaj hyri në Kishë, ku e prisnin meshtarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.