2007-07-23 17:43:59

Thirrje e Papës kundër luftës e garës së armatimeve, për të siguruar paqen në Engjëllin e Tënzot, nga Lorencago në festë.


(23.07.2007 RV)RealAudioMP3 Duke iu kundërvënë masakrave të kota, të shkaktuara nga lufta, që hapin gropa skëterre në lulishten e botës, njerëzit duhet të zgjedhin forcën e së drejtës e të lirisë, të vetmet që garantojnë paqen e drejtë e të qëndrueshme. Me këtë thirrje të fuqishme, që bëri dje në mesditë, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI iu drejtua botës nga qendra e vogël, e mbushur plot me besimtarë, e Lorencagos së Kadores, ku vijon pushimet verore që prej dy javësh. Lutja mariane u kremtua në një atmosferë jashtzakonisht festive, në praninë e shtatëmijë besimtarëve e shtegtarëve, të cilët e duartrokitën dhe e brohoritën vazhdimisht Benediktin XVI.
Një britmë kundër luftës dhe garës së armatimeve, nga Sheshi i Lorencagos, në mesditën e një të diele të qetë verore, për të shkundur ndërgjegjet e njerëzve që, në vise të ndryshme të botës, nuk e kanë kuptuar akoma se ‘Kopshti me lule i botës është dhuratë e Zotit e njeriu duhet ta punojë e ta ruajë, e jo t’ia vrugnojë bukurinë me plagët e urrejtjes:
Në se njerëzit do të jetonin në paqe me Hyjin e me njeriun, Toka do t’i ngjiste vërtetë Parajsës. Por fatkeqësisht mëkati e rrenoi këtë plan hyjnor, krijoi përçarje e ia hapi rrugën vdekjes, që hyri në Botë. Duke bërë kështu, njerëzit ranë në grackën e tundimit të djallit e ia nisën luftës njeri kundër tjetrit. Si pasojë, në këtë ‘kopsht të lulëzuar’ që është bota, hapën gropa ferri”.
Fjalë të forta këto të cilat, të trashëguara nga një traditë që nis me Benediktin XV në agim të “shekullit të shkurtër’ për të arritur deri tek Gjon Pali II, u lartuan më se një herë nga mikrofonet e Selisë së Shenjtë, ashtu si edhe nga tribuna e Kombeve të Bashkuara – për të ripohuar një koncept-kyç të papnive të kohëve të fundit: “Kurrë më luftë!”. E Papa kujtoi pikërisht vlerën e “Notës drejtuar fuqive ndërluftuese” nga Benedikti XV më 1 gusht, 90 vjet më parë, të cilën e quajti “të pasur në mendime e profetike”. Në vitin 1917 Benedikti XV pati guximin ta quante ‘masakër të kotë’ luftën që po luftonin shtetet, shprehje që – vërejti Papa Racinger – mund të përdoret edhe sot për shumë konflikte që vijojnë t’ua shkurtojnë jetën shumë njerëzve në të katër anët e botës.
“Nota e Papës Benedikti XV nuk mjaftohej me dënimin e luftës; ajo tregonte, në plan juridik, edhe rrugët për të ndërtuar një paqe të drejtë e të qëndrueshme: forcën morale të së drejtës, çarmatimin e drejtpeshuar e të kontrolluar, arbitrazhin në raste grindjesh, lirinë e deteve, faljen reciproke të shpenzimeve të luftës, rikthimin e trojeve të pushtuara dhe bisedimet e drejta për të zgjidhur problemet e pazgjidhura”.
Ishte një notë që kishte të bënte me ardhmërinë e Evropës e të botës, sipas një projekti me frymëzim të krishterë, por të pranueshëm nga të gjithë, sepse të themeluar mbi drejtësinë për mbarë popujt. E njëjta frymë ndjehet fuqimisht edhe në fjalimet e paharrueshme të Palit VI dhe të Gjon Palit II para OKB-së –vijoi Ati i Shenjtë i cili, pasi kujtoi edhe dëshmitë e shumta dhe koret e malësorëve që u këndojnë vuajtjeve të pësuara nga njerëzit e Kadores në kohën e luftës, përfundoi me fjalët:
Nga ky vend paqeje, në të cilin bëhen edhe më të papranueshme tmerret e masakrave të kota, përsëris thirrjen për të vijuar me guxim rrugën e së drejtës, për të refuzuar vendosmërisht garën e armatimeve e për të mposhtur tundimin që i shtyn njerëzit t’i përballojnë situatat e reja me sisteme të vjetra”.
Shumë fytyra të njohura pranë Papës e ndërmjet turmës së pranishme në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Benedikti XVI përshëndeti e përqafoi kardinalin Angelo Skola, patrik i Venedikut, kardinalin Ze-kiun, ipeshkëv i Hong Kongut, që shoqërohej nga një grup besimtarësh kinezë si dhe personalitetet e tjera të larta të Kishës e të shtetit. Një përshëndetje të veçantë, jashtzakonisht të përzemërt Papa ia drejtoi Edoardo Luçianit, vëllaut të Gjon Palit I. E në fund, përshëndetja drejtuar të gjithëve:
“Me që ndodhem në Sheshin e Lorencagos, dëshiroj t’u drejtoj përshëndetjen time më të përzemërt banorëve të këtij vendi, që më pritën me shumë dashuri. Sot leximi i Ungjillit flet pikërisht për mikpritjen, e mua m’u kujtuan fjalët e Shën Benediktit: “Ta prisni mikun si Krishtin”. Më duket se jeni të gjithë benediktinë, sepse më pritët pikërisht kështu. Ju uroj të gjithëve të diele të gëzuar e pushime të qeta”.







All the contents on this site are copyrighted ©.