2007-07-23 17:44:22

Më 23 korrik Kisha kremton Shën Brigjiden e Suedisë, bashkëpajtore e Evropës.


(23.07.2007 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Brigjidën, Pajtore e Evropës. Lindi në Finstad të Suedisë në qershor të vitit 1302 në një familje fisnike, thellësisht të krishterë. I jati, Birgen Person, gjykatës dhe governator i zonës Upplan, njihet si autor i legjislacionit të parë të krishterë në mbretërinë e Suedisë. Brigjida, e martuar në moshë të re, qe bashkëshorte e nënë shembullore e tetë fëmijëve. Pas vdekjes së bashkëshortit, u dha pas jetës asketike. Më 1350 shtegtoi drejt Romës me rastin e jubileut e nuk u kthye më në atdhe. Themeloi urdhërin rregulltar të të Shëlbuemit, që njihet edhe me emrin i Brigjidineve. Vdiq në Romë më 1373.
Papa Gjon Pali II e quajti Shën Brigjidën “specialiste e shpirtit" dhe i ftoi simotrat e saj të jenë kudo ndërtuese të palodhura të ekumenizmit të madh të shenjtërisë.
E Benedikti XVI, duke folur një vit më parë për Shën Brigjidën, Pajtore e Evropës, në ditën e festës së saj, theksoi “Erdhi nga Suedia në Romë e, prej këndej, shtegtoi në Tokën Shenjte; na fton kështu ta ndihmojmë njerëzimin të gjejë paqën e vërtetë pikërisht në Tokën Shenjte”.
Kujtojmë se Urdhëri i Brigjidineve, veprimtaria ekumenike e të cilit vlerësohet shumë në viset veriore të Evropës, ku ka pak katolikë e ku prandaj dialogu është më i rëndësishëm se gjetiu, sot numron 600 rregulltare dhe 45 bashkësi të përhapura në mbarë botën. Abadesha e përgjithshme e Urdhërit prej shumë vjetësh, është Nënë Tekla Familieti. Në mikrofonin e Radios sonë, flet kështu për Shenjten themeluese të Kongregatës që drejton:
Përgjigje: - “Amor Meuus Crocifixus est” – “Dashuria ime është i Kryqëzuari” – ishte motua e saj. Karizma e saj ishte lavdërimi i përhershëm i Hyjit, dhurimi i jetës për shpërblim të mëkateve dhe bashkimi i Kishës. I mëson gratë e kohëve tona ta çojnë dashurinë e Krishtit në të gjitha fushat e shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.