2007-07-21 17:21:10

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(22.07.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, e diela XVI e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, Kisha katolike kremtoi edhe Shën Marinë Madalenë, nxënëse e Zotit.
“Jezusi u kujton gjithë të krishterëve se duhet t’i shërbejnë mbarë tokës, duke u bërë për të kripë e dritë”. Është reflektimi që buron nga liturgjia e festës së Shën Brigjidës, rregulltare, Pajtore e Evropës, që do të kremtohet nesër, e hënë.
Të martën Kisha do të përkujtojë Shenjtin Sharbel Makluf, meshtar e Shën Kristinën, virgjër e martire. Me jetën e tyre na nxisin të meditojmë se detyra kryesore e njeriut është të bëjë vullnetin e Zotit. Detyrat e kërkesat e tjera të panumërta të jetës njerëzore, që nga ato të familjes, tek detyrat e punës, janë të gjitha të dorës së dytë e të gjitha të varura pikërisht nga vullneti i Zotit.
Në përkujtimin e Shën Jakut të madh, apostull e të Shën Kristoforit, martir që do të kremtohen të mërkurën, liturgjia na kujton se kush mbjell me vaj, do të korrë me gëzim! E kjo do të thotë se ecja në gjurmët e Jezusit nuk të çon tek ngjitja e shkallëve të karrierës. Të ndjekësh Krishtin do të thotë të pish me fund kelkun e mundimeve të Tij.
Shën Jaku e Shën Ana, prindërit e Virgjërës Mari, që do të kremtohen të enjten, na kujtojnë se lumnia e vërtetë e nxënësve të Krishtit është se arritën të shohin me sytë e tyre e të dëgjojnë me veshët e tyre atë që profetët e të drejtët e dëshiruan me gjithë zemër, por s’e panë, as s’ e dëgjuan.
Të premten e ardhshme Kisha do të kremtojë festën e Shën Pantaleonit, mjek e martir dhe të Shën Çelestinit papë. Liturgjia e festës na kujton shembëlltyrën e farëhedhësit. Secili nga ne duhet të marrë pjesë në këtë hedhje, pa menduar për cilësinë e arës, por për ‘mirësinë’ e farës.
Shenjtorët Nazari e Çelsi, martirë milanezë e shë Vitori, papë , që do të kremtohen të shtunën, me liturgjinë e festës së tyre na kujtojnë se shembëlltyra e egjrës, mbjellur në të njëjtën arë me grurin, është simbol i padurimit të atyre që e konsiderojnë veten të mirë e që kërkojnë të ndërhyjë menjëherë drejtësia e Zotit i cili, ndërkaq, i rregullon kohët e veta me orën e mëshirës.









All the contents on this site are copyrighted ©.