2007-07-21 19:49:35

Ndriçojeni botën me të vërtetën e Krishtit: nxitja e Papës, në Mesazhin për Ditën XXIII Botërore të Rinisë, Sidnei 2008.


(21.07.2007 RV)Shpirti Shenjt e misioni janë filli i artë i përgatitjes së Ditës Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në vitin 2008 në metropolin australian të Sidneit me temë: “Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi” (Vap.1, 8).
E tek temat kryesore, që lidhen me afrimin e ngjarjes së madhe ndalet kryesisht Papa në Mesazhin për Ditën XXIII Botërore të Rinisë. Mesazhi, i nënshkruar dje nga Ati i Shenjtë, sot u publikua në gjuhën italiane, ndërsa më pas do të publikohen edhe përkthimet në gjuhë të tjera.
Pak fjalë mbi përmbajtjen e Mesazhit:
“Të jeni gati për të vënë në lojë edhe jetën tuaj, që të ndriçoni botën me të vërtetën e Krishtit”: për këtë i nxit Papa gjithë të rinjtë, të cilët janë të thirrur t’i përgjigjen me dashuri urrejtjes dhe përbuzjes së jetës, për të shpallur shpresën e Krishtit të Ngjallur në të katër anët e Tokës. Është Mesazh i gjatë e i hollësishëm ky, që Benedikti XVI ua drejton të rinjve, pikërisht një vit para Ditës Botërore të Rinisë në Sidnei. Është një ngjarje - shpjegon Ati i Shenjtë – përmes së cilës mund të provohet plotësisht pushteti i Shpirtit Shenjt dhe t’i drejtohet Zotit lutja për ardhjen e Rrëshajëve të reja mbi botë. Prej këndej buron thirrja e Papës drejtuar të rinjve për të marrë pjesë me shumicë e për të qenë kështu, simbol i shpresës dhe mbështetje e çmuar për bashkësinë e Kishës në Australi, që është e thirrur të rizbulojë rrënjët e veta të krishtera. Papa u jep zemër të rinjve, duke i ndihmuar me reflektime të thella, posaçërisht mbi temën e Ditës, që ka në qendër Shpirtin Shenjt, Protagonistin e madh të Shëlbimit.
Është Shpirti Shenjt frymëmarrja jetëdhënëse e jetës së krishterë – shkruan Papa. Është Ai që na ndihmon ta kuptojmë Jezusin gjithnjë më thellë, gjithnjë më me gëzim e njëkohësisht edhe të realizojmë aktualizimin e frytshëm të Ungjillit në agim të mijëvjeçarit të ri. Në Mesazh, Benedikti XVI u ofron të rinjve një vijë meditimi, përmes së cilës mund të verifikojnë cilësitë e besimit të tyre në Shpirtin Shenjt. E Papa i siguron të rinjtë se Kisha, madje vetë njerëzimi, presin shumë prej tyre, sepse janë mbartës të dhuratës më të lartë të Atit, Shpirtit të Jezusit. Benedikti XVI nënvizon se dëgjimi i vëmendshëm i Fjalës së Zotit për misterin dhe veprën e Shpirtit Shenjt, hap para nesh horizonte të pamasa njohjeje, që na nxisin të ecim përpara. Rrëshajët – ripohon Papa – janë pikënisja e misionit të Kishës. E pikërisht për virtyt të Shpirtit Shenjt – shpjegon Benedikti XVI – Apostujt, nga peshkatarë të trembur, u bënë kasnecë guximtarë të Ungjillit, duke i çuditur deri armiqtë e tyre.
Papa ndalohet kështu tek Shpirti Shenjt, shpirt i Kishës e fillesë e bashkimit dhe i nxit të rinjtë të kthehen në Çenakull, ku nxënësit e Krishtit rrinin bashkë, duke u lutur me Marinë, në pritje të Shpirtit të premtuar. E kjo – vëren Papa – është ikona e Kishës në fasha, nga e cila bashkësia e krishterë duhet të frymëzohet vazhdimisht. Më pas Ati i Shenjtë ripohon se që misioni të kryhet me sukses, bashkësitë duhet të jenë të bashkuara, të kenë një zemër të vetme e një shpirt të vetëm. Ne – lexohet në Mesazh, jemi fryt i këtij misioni të Kishës për virtyt të Shpirtit Shenjt. E, në vijim, Papa e fton rininë, që do të mblidhet në Sidnei, të mos harrojë kurrë se Shpirti i Zotit kujtohet për secilin njeri e se dëshiron, posaçërisht përmes të rinjve, të ndikojë mbi botë erën e zjarrin e Rrëshajëve të reja. Shpirti Shenjt – vijon të shpjegojë Benedikti XVI – është mjeshtër i shpirtit njerëzor, që duhet ta pranojmë si udhëheqës të shpirtrave tonë, për të na prirë drejt misterit trinitar. Është Shpirti Shenjt ai, që na shtyn drejt të tjerëve, që na bën misionarë të dashurisë së Zotit – nënvizon Papa, e në vijim vë në dukje se edhe sot e kësaj dite Shpirtit Shenjt vijon të veprojë pushtetshëm në Kishë. Por – vëren - frytet e Tij janë të begata në atë masë, me të cilën ne ia hapim zemrat pushtetit të tij përtëritës. Prandaj Benedikti XVI kujton se ka rëndësi të dorës së parë që secili nga ne ta njohë e të hyjë në lidhje me Të, posaçërisht në një kohë kur, për një numër jo të paktë të krishterësh, Shpirti Shenjt vijon të jetë i panjohuri i madh.
Si mund ta lemë veten të tërhiqemi nga Shpirti Shenjt? – pyet Papa. Përgjigjen – shkruan - mund ta gjeni te sakramentet, sepse feja lind e fuqizohet në ne pikërisht falë Sakramenteve, posaçërisht atyre të fillesës të jetës së krishterë, Pagëzimit, Krezmimit e Kungimit. Ati i Shenjtë nuk harron të pohojë me dhimbje se e vërteta mbi këto sakramente shpesh lihet pas dore në jetën fetare të jo pak të krishterëve. E në vijim shpreh keqardhjen se shumë të rinj, pas Krezmimit, largohen nga jeta e fesë. Atëherë thekson sesa urgjente është përpjekja për të rizbuluar vlerën e Pagëzimit e të Krezmimit për zhvillimin tonë shpirtëror. E, edhe një herë, kujton se çdo i pagëzuar, duke e lëshuar veten në duart e Shpirtit Shenjt, mund të sjellë kontributin e vet në fuqizimin e Kishës. Papa rithekson kështu me forcë se Eukaristia është burim e kulm i jetës kishtare. Eukaristia – u shkruan Ati i Shenjtë të rinjve – është festa e vazhdueshme e Rrëshajëve, sepse sa herë që kremtojmë Eukaristinë, marrim Shpirtin Shenjt që na bashkon më thellësisht me Krishtin e, në Të, na shndërron. Benedikti XVI i siguron të rinjtë se aty ku nuk arrijnë forcat e tyre, ndërhyn Shpirti Shenjt, që i mbush me forcën e vet, duke i bërë dëshmitarë plot zell misionar të Krishtit të Ngjallur.
E pikërisht nevojës së misionit Benedikti XVI i kushton pjesën e fundit të Mesazhit. Përballë problemeve të shumta që duhen përballuar – pohon Papa – të rinjtë besojnë gjithnjë tek Jezusi, i vetmi që mund t’i plotësojë dëshirat më të fshehta të zemrës së njeriut. E shton: “Kush e lë veten të udhëhiqet nga Shpirti Shenjt, e kupton se të vihesh në shërbim të Ungjillit nuk është një mundësi që mund të pranohet se jo, sepse vëren sa urgjente është t’ua transmetosh edhe të tjerëve Lajmin e Mirë.
Ndokush – vijon Papa – mendon se t’ua tregosh thesarin e çmuar të fesë njerëzve që nuk e pranojnë, do të thotë të jesh intolerant me ta. Por – nënvizon Benedikti XVI – nuk është aspak ashtu, sepse ta propozosh Krishtin, nuk do të thotë ta imponosh. Ashtu si dymijë vjet më parë – bën thirrje Papa – edhe ditët tona kanë nevojë për nxënës të Krishtit, që nuk kursejnë kohë as energji për t’i shërbyer Ungjillit. Mesazhi përfundon me fjalët plot besim e shpresë: “Koha kërkon të rinj, shpirti i të cilëve digjet nga dashuria për Zotin; të rinj që i përgjigjen bujarisht thirrjes së Tij të ngutshme, ashtu si bënë shumë të rinj të lum e shenjtër të së kaluarës e edhe të kohëve më të afërta. Edhe sot – siguron Benedikti XVI – Shpirti i Zotit ju fton ju, të rinj, t’ua çoni bashkëmoshtarëve tuaj lajmin e mirë të Jezusit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.