2007-07-21 10:42:10

BAMIR TOPI ZGJIDHET PRESIDENT I RI I REPUBLIKËS SË SHQIPERISË


Kuvendi i Tiranës zgjodhi më 20 korrik të premten pasdite zotin Bamir Topi si Presidentin e ardhshëm të vendit të Shqipërisë. Pro zotit Topi votuan 85 deputetë, ndërsa pro zotit Neritan Ceka 5 vota. Në raundin e katërt të zgjedhjes së presidentit morën pjesë 90 deputetë.
Nga ATSH-ja:- Kryeministri Sali Berisha falenderoi te premten, pas votimit në seancën plenare për zgjedhjen e Presidentit, deputetët që morën pjesë në votim, duke respektuar detyrimin kushtetues dhe Kushtetutën e vendit.
"Dëshiroj t'u përcjell një përshëndetje të përzemërt të gjithë qytetarëve shqiptarë që ndjekin me përkushtim të plotë këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin", tha Kryeministri, duke falenderuar kandidatët për garën e tyre të civilizuar. "Mendoj se do të kemi Presidentin e Republikës", tha zoti Berisha, pak minuta përpara shpalljes së rezultatit të votimit.
Kryeministri u shpreh se "fakti që Kuvendi funksionoi në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe rregulloren është një fitore e vërtetë e ligjit dhe shtetit ligjor, është një fitore e vërtetë e të gjithë deputetëve, edhe atyre që nuk mundën të paraqiten në proces për shkak të një vendimi apo të një tjetri. Është kjo një fitore e madhe për çdo qytetar shqiptar që sheh të ardhmen e tij më të mirë për integrimin e vendit në NATO dhe BE".
Zoti Berisha tha se "në këtë garë konkurruan dy nga politikanët më të spikatur të vendit, me një karrierë politike 17 vjeçare dhe nuk ka mëdyshje se institucioni i Presidentit është para së gjithash për politikanë". Duke theksuar se "sot u realizua edhe një detyrim tjetër madhor i respektit të plotë të funksionimit, të dinjitetit të këtij institucioni kushtetues themelor të vendit", Kryeministri tha se "e premtja e 20 korrikut është një ditë e bardhë, e shënuar për ne".
"Ajo që ka rëndësi të veçantë është se sot votoi parandalimi i zgjedhjeve të parakohshme, votoi vendosja në institucionin e parë të vendit të një politikani, votoi Kushtetuta me procedurat e saj", u shpreh Kryeministri, duke garantuar opozitën se "ky zhvillim i sotëm hap perspektiva të reja bashkëpunimi në të gjitha fushat për të realizuar së bashku objektivat e përbashkëta, integrimin e vendit në NATO, BE, shtetin ligjor, investimet e huaja në Shqipëri". "Kurrë ndonjëherë ky vend nuk ka qenë më në interes të sipërmarrjes botërore sa ç'është sot", vijoi më tej Kryeministri, duke nënvizuar se "motorët e rritjes së shpejtë ekonomike janë ndezur plotësisht dhe së shpejti do të ndodhë shkëputja ekonomike e këtij vendi".
"Sot vërtetë ne zgjedhim jashtë tryeze, por zgjedhim 10 herë më mirë. Vijmë këtu, pasi Sali Berisha pranoi jo 1, por 3 propozime të opozitës për karrigen e presidentit", tha Kryeministri, sipas të cilit, "paraqitëm vetëm një kërkesë, largimin e Sollakut, për shkakun e vetëm sepse ai nuk po penalizon zyrtarët, nuk po lufton korrupsionin".
Duke i ofruar opozitës vendosmërinë për bashkëpunim të ngushtë, luajal, respektiv, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë rrugën e integrimit, Kryeministri theksoi se "vetëm një fragment shumë i vogël i opozitës është shprehur për zgjedhje të parakohshme". "Kjo frymë ka sjellë këtë situatë kaq pozitive në këtë parlament. Të vendosësh Kushtetutën mbi statutin e partisë është një detyrë e padiskutueshme për çdo parlamentar", tha zoti Berisha.
I pyetur në lidhje me kandidaturën e zotit Ceka dhe se çfarë pozicioni do të ketë ai, Kryeministri tha se "zoti Ceka ka vendin e tij dhe nuk e përcakton Sali Berisha. Ceka është politikan me përvojë, që mori një vendim shumë të rëndësishëm, me kurajo të madhe".







All the contents on this site are copyrighted ©.