2007-07-20 19:06:48

Lajme nga bota:krijimi i shtetit palestinez krah atij të Izraelit etj


(20.07.2007 RV)Me impenjimin e bashkësisë ndërkombëtare për krijimin e një shteti palestinez, që të jetojë krah atij të Izraelit, përfundoi mbrëmë në Lisbonë takimi i Kuartetit për Lindjen e Mesme. Ndërkaq, sot u liruan 250 të burgosurit palestinezë, që mbaheshin në Izrael, në mbështetje të presidentit Abu Mazen.


Në Afganistan, një kamikaze ka hedhur në erë makinën e tij kundër një karvani ushtarak britanik në provincën e Helmandit. Dy civilë afganë u vranë e 4 ushtarë britanikë u plagosën. Ndërkaq, talebanët morën përsipër rrëmbimin e 18 të krishterëve evangjelistë koreanojugorë, të pesë afganëve dhe dy gjermanëve. Për lirimin e këtyre të fundit, është kërkuar largimi i trupave gjermane nga vendi dhe lirimi i të gjithë talebanëve nga burgu. Ultimatumi skadon nesër në orën 12.


U arrit dje në Pekin, marrëveshja mbi objektivat e fazës së dytë të procesit të çarmatimit bërthamor të Koresë së Veriut, megjithëse nuk janë caktuar afate. 6 shtetet e përfshira në bisedime e vazhduan takimin maratonë deri në arritjen e marrëveshjes.


Sipas sondazheve, presidentja e re e Indisë mund të jetë grua. Nuk janë rezultate zyrtare, por duket se 64% të votave mund ta fitojë guvernatorja e shtetit të Raxhastanit, Pratiba Patil. Do të ishte presidentja e parë grua e Indisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.