2007-07-20 19:03:12

KS i OKB-së ia kalon çështjen e Kosovës Grupit të Kontaktit. I pamundur votimi.


(20.07.2007 RealAudioMP3 Çështja e Kosovës nuk gjen zgjidhje në Këshillin e Sigurimit dhe i kalon Grupit të Kontaktit.
Sot, Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi të pezullojë diskutimet mbi projektrezolutën e Kosovës. Në emër të vendeve sponsorizuese të projektrezolutës, ambasadori francez Zhan-Mark lë Sablier deklaroi për shtypin: “Na vjen keq, që nuk jemi në gjendje të sigurojnë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit… Diskutimet do të vazhdojnë në gjirin e Grupit të Kontaktit, me të gjitha palët”. Grupi përbëhet nga Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania, SHBA-të dhe Rusia, por asnjëri nga vendet nuk ka të drejtë vetoje. Gjithsesi, vendet sponsorizuese të projektrezolutës përsëritën mbështetjen e tyre ndaj planit të Ahtisarit.
Sot, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku deklaroi se data e 28 nëntorit, do të ishte një rast i mirë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Do të festohej në të njëjtën ditë me pavarësinë e Shqipërisë, e cila përkujtohet nga shqiptarët kudo që ndodhen në botë. Për momentin, propozimi i Çekut mbetet vetëm një mendim personal, por reflekton qartë stanjacionin në bisedimet ndërkombëtare, që e detyrojnë Prishtinën të ndërmarrë hapa të njëanshme. Ekipi i Unitetit të Kosovës do të takohet të hënën në Uashington me sekretaren amerikane të shtetit, Kondolica Rajs, me të cilën do të bisedohen rrugët e mundshme të daljes nga situata.







All the contents on this site are copyrighted ©.