2007-07-20 18:49:21

Gulielmo Markoni kujtohet nga e bija 70-vjet pas vdekjes.


(20.07.2007 RV)RealAudioMP3 70 vjet më parë, si i kishte qëndruar gjithnjë besnik parimeve të tij shkencore, vdiq me kryq në dorë, shkencëtari i famshëm, shpikësi i radios, Gulielmo Markoni, i cili me gjenialitetin e tij, shënoi një revolucion të vërtetë në historinë e komunikimeve dhe në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Si iu kushtua që në rininë e parë kërkimeve shkencore, vetëm 35 vjeç u vlerësua me Çmimin Nobel për fizikë. Më 1931 lidhte përgjithnjë emrin e vet me themelimin e Radio Vatikanit, duke i ofruar Papës mundësinë ta përhapë mesazhin në mbarë botën:
“Kam nderin tepër të lartë të njoftoj se pas pak Papa Piu XI do të përurojë stacionin e Radios së Qytet-Shtetit të Vatikanit. Valët elektrike do ta mbartin në mbarë botën, përmes hapësirës, fjalën e tij të paqes e të bekimit”.
Me rastin e këtij përvjetori, e bija, Elektra Markoni, e kujton kështu të jatin, në mikrofonin e radios së themeluar prej tij:
Përgjigje: - Kujtoj cilësitë morale të babait tim, që më transmetonte ndershmërinë e tij, drejtësinë e tij e shembullin e tij, sepse ai i mbronte me besnikëri parimet e tij.
Pyetje: - Pincesha Elektra, ati juaj e pati nënvizuar disa herë lidhjen e tij me paqen e me radion, që ishte menduar pikërisht si mjet për të shpëtuar jetë njerëzore, posaçërisht në det, gjë që e bën shkencëtarin shembull e model të njeriut, i cili ia kushtoi gjithë jetën misionit….apo jo?
Përgjigje: - Po, në të vërtetë, më 1901, sapo bëri transmetimin e parë të radios pa tela përmes Atlantikut, nga Anglia në ishullin e Tokës së Re në Kanada, ai e kuptoi menjëherë se kishte bërë një komunikim global që do t’i bashkonte të pesë kontinentet; e kuptoi edhe sesa rëndësi kishte për mbarë botën që njerëzit të njiheshin, të merreshin vesh, të shkëmbenin lajme, të sqaronin çdo keqkuptim e të shmangnin luftërat. Ai donte paqen në botë, donte që të gjithë njerëzit t’i shërbejnë së mirës e nuk donte në asnjë mënyrë që shpikjet e tij të përdoreshin për luftën e shkatërrimin, por vetëm për të mirën e mbarë njerëzimit
Pyetje: - Në njëqindvjetorin e lindjes, kremtuar më 1975, Papa i ardhshëm Gjon Pali II, në një letër kushtuar pikërisht Gulielmo Markonit, i përmblidhte kështu tiparet dalluese të personalitetit të tij: ‘pak fjalë, shumë vepra’, duke treguar edhe admirimin e madh që kishte për të…
Përgjigje: - Po, im atë ka vepruar gjithnjë konkretisht. Kur ishte i ri, i kishte të gjithë shkencëtarët kundra, ishin dyshimtarë e thoshin se ishte e pamundur të komunikohet përmes oqeaneve, përmes maleve, sepse pengesat ishin të pakapërcyeshme. Ai nuk iu përgjigj kurrë me fjalë, por me fakte.
Pyetje: - Princeshë, ju e humbët babain kur ishit ende e vogël. E kjo humbje peshoi rëndë mbi gjithë jetën tuaj…
Përgjigje: - Po, e humba babain ditën kur mbushja 7 vjeç. Fjalët e fundit të t’im eti, para se të jepte shpirt, ishin pikërisht për mua. I tha tim gjyshi, babait të nënës sime, të më dërgonte një telegram urimi për ditëlindje. Dha shpirt i ngushëlluar me të gjitha sakramentet, duke shtrënguar ndër duar rruzaren e kryqin që ia kishte dhuruar nëna ime, Maria Kristina Markoni, ditën e martesës.







All the contents on this site are copyrighted ©.