2007-07-20 18:47:46

Benedikti XVI u gëzua shumë për lirimin e Atë Bosit, në Lorencago ku pushon e ku sonte ndoqi koncertin e koreve të malësorëve.


(20.07.2007 RV)RealAudioMP3 Papa dhe bashkëpunëtorët e tij e pritën me gëzim të madh lajmin e mbrëmshëm për lirimin e Atë Bosit, misionar italian i rrëmbyer më 10 qershorin e kaluar në Filipine. Tani – deklaroi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi - urojmë që Atë Bosi ta rifillojë qetësisht veprimtarinë e tij misionare e të mos përsëriten kurrë më rrëmbimet ose episode të tjera dhune në zonë. Por të kthehemi në Lorencago të Kadores, prej nga për ditën e sotme të pushimit të Papës na flet, si zakonisht, i dërguari i gazetës ‘Avvenire’ Salvatore Maca, të cilin e pyetëm posaçërisht për koncertin që u dha sonte për nder të Benediktit XVI:
Përgjigje: - Po, kënduan shtatë kore, dmth të gjitha koret e Kadores: ishte një shfaqje e veçantë, që u dha për Papën, absolutisht në mënyrë private. Koncerti u dha në Kështjellën e Mirabelos. Ishin të pranishëm vetëm koristët dhe grupi që shoqëron Atin e Shenjtë.
Pyetje: - Po afrohet një takim tjetër i rëndësishëm publik i Benediktit XVI: lutja e Engjëllit të Tënzot e së dielës në Sheshin Kalvi të Lorencagos…
Përgjigje: - Është pak të themi se pritet me padurim; më në fund vendasit do të kenë mundësi ta shohin Papën në shtëpinë e tyre. Do të jetë, sigurisht, festë e madhe për të gjithë zonën. Priten 4 mijë vetë: banorë të vendit, veronjës e banorë të fraksioneve fqinje me Lorencagon.







All the contents on this site are copyrighted ©.