2007-07-19 17:53:20

Vijon, në qetësi, periudha e pushimeve të Benediktit XVI në Lorencago të Kadores. Dje, konferenca e shtypit e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Bertone.


(19.07.2007 RV)RealAudioMP3 Vijon qetësisht periudha e pushimeve të Benediktit XVI në Lorencago të Kadores. Sot Papa nuk doli për të shëtitur, por nesër do të jetë i pranishëm në një koncert që do të japin për nder të tij disa nga koret e malësorëve, ndërsa pritet me shumë interes takimi i ardhshëm me klerin e dioqezave të Trevizos e të Belunos, të martën e ardhshme.
Dje mbasdite - takimi me kardinalin Bertone në Pieve të Kadores dhe konferenca e shtypit, kushtuar veprimtarisë së tij njëvjeçare si sekretar i Shtetit. Gjatë takimit u prekën problemet më të mprehta aktuale: nga kriza ndërkombëtare, tek zhdëmtimi për rastet e pedofilisë në Los Ánxhelos; nga letra e Atit të Shenjtë drejtuar katolikëve kinezë, tek shtegtimi i Papës në Brazil.
Në fillim kardinali Bertone foli për periudhën e pushimeve verore të Benediktit XVI, duke nënvizuar se klima e Lorencagos është shumë e përshtatshme për veprimtarinë krijuese të Atit të Shenjtë:
“Papa po punon për vëllimin e dytë të librit ‘Jezusi i Nazaretit’, njëkohësisht edhe për një enciklikë me problematikë shoqërore. Merret edhe me punë të tjera, sepse Papa është vullkan krijimtarie; mendon për mesazhin e Ditës së 23-të Botërore të Rinisë në Sidnei e ka edhe ndonjë gjë tjetër ‘in pectore”.
Më pas kardinali foli për shkandullin e rasteve të pedofilisë në radhët e klerit, që ka tronditur jetën kishtare të Los Los Ánxhelos. Është një fenomen – tha Hirësia e Tij – në kundërshtim të plotë me natyrën dhe misionin e Kishës:
“Ky problem i hidhëron të gjithë, njerëzit e Kishës e jo të Kishës. Ju e dini sa nderohet Kisha: nga të katër anët vijnë presidentë e kryeministra nga vendet myslimane, që e falënderojnë Kishën për punën e saj. Duke pasur parasysh impenjimin e madh ungjillëzues dhe edukativ të Kishës katolike, është një fenomen që i kundërvihet natyrës e misionit që duhet të zhvillojmë”.
I pyetur mbi letrën e Benedikti XVI, drejtuar katolikëve kinezë, kardinali Bertone u përgjigj, pa e fshehur optimizmin, ndonëse:
Tani për tani nuk kemi ende reagime nga ana e qeverisë, sepse qeveria po e studion – të paktën kështu mendojmë ne – tekstin e letrës. Unë besoj se reagimet e popullit kinez, të meshtarëve, të ipeshkvijve e të besimtarëve janë mjaft pozitive. Letra e Papës është bërë një mjet reflektimi, dialogu, ballafaqimi.
Gjatë konferencës së shtypit, kardinali Bertone kujtoi edhe fjalimin e Papës në Regensburg dhe nënvizoi se dialogu me botën myslimane vijon në mënyrë të hapur e të sinqertë:
“Mbajtëm shënime për reagimet, u përpoqëm t’i sqarojmë, duke shpjeguar mirë ç’ kishte dashur të thotë Papa e pastaj vijuam me takime e fjalime. Kështu besoj se tashmë ecim në rrugën e dialogut të hapur, të ndershëm, të sinqertë e të thellë me botën myslimane”.
Sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij foli edhe për shtegtimin e Papës në Brazil, me rastin e Konferencës V të Përgjithshme të Episkoptatit latinoamerikan e karaibik:
“Ndikimi që pati mbi njerëzit ishte i jashtzakonshëm: i patë vetë miliona njerëz që e prisnin Papën, që e përshëndesnin; e posaçërisht fjalimi i Aparesidës qe një afresk i vërtetë i Papës. Benedikti XVI mbajti një fjalim me karakter kristologjik, propozoi temën e katekizmit të ungjillëzimit të ri përballë kërcënimit të sekteve”.
Më pas Hirësia e Tij preku disa nga problemet që shqetësojnë Kishën dhe Benediktin XVI:
“Problemet që shqetësojnë Papën janë edhe problemi i Irakut, i Tokës Shenjte, problemi i largimit të Evropës nga rrënjët e veta të krishtera. E kjo e lë Kontinentin e vjetër pa limfën jetëdhënëse, që buron nga krishterimi. Problem është edhe misioni i madh i Evropës në ndihmë të kontinenteve të tjera, duke filluar nga Afrika”.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për mundësitë e krijimit të hapësirave më të gjëra për gratë në jetën e Kishës, sekretari i Shtetit të Vatikanit sqaroi se së shpejti grave do t’u besohen disa detyra të rëndësishme në Kishë. E, së fundi kardinali deklaroi se riti tridentin është një thesar që duhet ruajtur, duke përballuar çdo mëdyshje të mundshme. Për shembull – tha kardinali Bertone- mund të studiohet mundësia për ta zevendësuar lutjen për kthimin e hebrenjve, që përmban riti i së Premtes së Madhe në Mesharin para konciliar të vitit 1962, duke u lutur sipas formulës së Palit VI.







All the contents on this site are copyrighted ©.