2007-07-19 18:42:16

Vapa problematike në Ballkan. Shqipëria pa ujë e pa drita.


(19.07.2007 RV)Nxehtësia e këtyre ditëve ka shkaktuar probleme serioze në të gjithë Ballkanin. Në Shqipëri, edhe kryeministri Sali Berisha pranoi sot se vendi është përfshirë nga kriza energjitike. Ka zona që nuk furnizohen me elektricitet edhe për 15 orë me radhë e fatkeqësisht nuk ka asnjë rrugë për daljen nga situata. Korporata Energjitike shqiptare ka fondet për të blerë energji jashtë shtetit, por nuk ka treg energjie në këtë moment, pasi asnjë prej shteteve fqinje nuk e shet atë që i duhet për popullsinë e vet.
Në Beograd, dje kanë vdekur dy vetë, njëri 29 vjeç e tjetri 56, të dy nën diellin përvëlues të plazheve të lumit Sava. Sot në Beograd duket se është kapërcyer temperatura 40 gradë, dje ishte 39. Spitalet janë mbushur plot me njerëz, që ndihen keq nga të nxehtët. Mjekët kanë këshilluar që të mos dilet nga shtëpia pas orës 10 dhe para orës 18. Në ndryshim nga Shqipëria ku uji ndërpritet, në Beograd, autoritetet kanë vendosur çisterna në 22 pika të qytetit. Por edhe këtu energjia elektrike është problem. Gjatë natës së djeshme, pjesa më e madhe e Beogradit ka mbetur pa energji elektrike. Sot sindikatat i kanë kërkuar kryeministrit të zgjidhë sa më shpejt problemin. Në Shqipëri, sheshet nuk janë për protesta të kësaj natyre, por për zënkat “Topi apo Ceka president”.
Gjendje e vështirë edhe në Malin e Zi. Dje në Podgoricë, temperatura shënoi rekordin prej 43,2 gradësh. Sipas parashikimeve, kjo vapë do të zgjasë deri të mërkurën e ardhshme.
Në Maqedoni, qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës për dy javë, me mundësinë që të zgjatet. Shkupi ka vendosur të reduktojë orët e punës në institucionet publike dhe ka këshilluar ndërmarrjet private të bëjnë të njëjtën gjë. Zjarri i shkaktuar nga vapa e madhe ka shkatërruar mëse 2 mijë hektarë pyje gjatë javëve të fundit.
Së fundi, në Rumani, prodhimi i grurit këtë vit do të jetë 2,6 milion ton, në krahasim me 5,5 milionët e vitit të kaluar, për shkak të thatësirës. Edhe për prodhimet e tjera, rendimenti do të jetë 35-40% më i ulët.







All the contents on this site are copyrighted ©.