2007-07-19 18:40:19

Rajs: Kosova e pavarur "në një mënyrë apo në tjetrën"


(19.07.2007 RV)U mblodh sot në Lisbonë, Kuarteti për Lindjen e Mesme, në kuadrin e të cilit u fol edhe për Kosovën. Sot paradite, sekretarja e shtetit amerikan, Kondolica Rajs pati deklaruar për gazetarët gjatë udhëtimit për në Portugali (presidente e radhës e Bashkimit Evropian) se Kosova do të jetë e pavarur nga Serbia, në "një mënyrë ose në tjetrën", pavarësisht nga kundërshtimet e Rusisë në Kombet e Bashkuara. Pasdite, ministri i jashtëm portugez, Luis Amado u takua me homologun e tij serb, Vuk Jeremiç. Ky i fundit sqaroi se qëndrimi i Serbisë është diametralisht i kundërt me atë amerikan. Po sot, arriti edhe konfirmimi më zyrtar deri tani, për pozicionin e Rusisë. Zëdhënësi i Dumës ruse, Dhomës së ulët të parlamentit, nga Podgorica ku ndodhej për vizitë, u shpreh qartë se Rusia do të vendosë veton në Këshillin e Sigurimit ndaj çdo rezolute që nuk është pranuar më parë nga Beogradi.







All the contents on this site are copyrighted ©.