Në Kadore pritet me interes takimi i klerit vendas me Papën, më 24 korrik.
(18.07.2007 RV)Në Kadore pritet me interes të madh një takim tjetër i rëndësishëm
i Papës: të martën e ardhshme Papa do të takohet me klerin e dioqezës së Trevizos
e të Belunos. Takimi konfirmohet nga ipeshkvi i Beluno-Feltre, imzot Gjuzepe Andrih,
në mikrofonet e Radio Vatikanit: Përgjigje: - Ia kërkuam ne këtë takim Papës
e Papa pranoi. Do të mbahet në Kishën më të madhe në qendër të Lorencagos, ku ndodhet
Papa: në Auronco të Kadores. Kisha e këtij lokaliteti, me praninë e një numri të madh
meshtarësh, do të jetë vend i një përvoje të jashtzakonshme për ne të gjithë. Pyetje:
- Imzot Andrih, si e keni organizuar ju të dioqezës së Belunos e të Trevizos këtë
takim? Përgjigje: - Ne po organizohemi duke u përgatitur të dëgjojmë
fjalën e Papës e duke bërë gati pyetjet që do t’i bëjmë e që lidhen më shumë me realitetin
e veprimtarisë sonë baritore në veri-lindje të Italisë, në Veneto, posaçërisht problemet
që duhet të zgjidhim në bashkësinë tonë malësore. Pyetje: - Imzot Andrih,
a mund të na njihni më hollësisht me problemet rreth të cilave do të dialogoni me
Papën? Përgjigje: - Ne dëshirojmë posaçërisht të na orientojë për zgjidhjen
e problemeve që vërehen në qytetet tona e në qendrat tona më të mëdha. Kanë të bëjnë
sidomos me të rinjtë, me formimin, me edukimin e me të gjitha rreziqet që duhet të
përballojnë të rinjtë tanë. Flitet shumë, këto ditë, për problemin e alkoolizmit;
edhe të rinjtë po e përdorin gjithnjë më shumë alkoolin. Kemi, pastaj, edhe të rinj
që vrasin veten. Unë i ndjej thellësisht këto probleme. Pyetje: - Ka edhe
të reja të tjera: për shembull, festa për praninë e Papës në Kadore do të vijojë me
koncertin e parashikuar për të premten, kur për nder të Benediktit XVI do të këndojnë
koret e malësorëve, që do ta japin koncertin e tyre pikërisht në Kështjellën e Mirabelës,
pranë së cilës banon Papa këto ditë pushimi… Përgjigje: - E kemi këtë
mundësi: dioqeza e Beluno-Feltres organizon, me disa kore të Kadores, një çast festiv
me këngë që janë pjesë përbërëse e kulturës sonë, e cila ka gjetur gjithnjë shprehjen
e vet tek kënga, kryesisht tek kënga polifonike, por edhe tek kënga popullore: e kemi
marrë vesh se Papës i pëlqen shumë ky tip kënge. Prandaj menduam t’i krijojmë një
atmosferë kulturore me frymën e malësisë, në të cilën Papa po çlodhet këto ditë, duke
shëtitur e duke u takuar me njerëzit e malit. E malësorët mbeten tepër të prekur nga
mundësia e takimeve të paparashikuara me Atin e Shenjtë.