2007-07-18 18:55:03

Formalizohet rezoluta mbi Kosovën në KS të OKB-së


(18.07.2007 RV)RealAudioMP3 Çështja e Kosovës në rendin e ditës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Vendet perëndimore sfidojnë Rusinë. Mbrëmë vonë u zyrtarizua rezoluta e paraqitur nga SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca, e cila teknikisht mund të votohet të enjten ose të premten. Gjithsesi, vëzhguesit po presin reagimin e Rusisë për të vendosur mbi një votim të mundshëm.
Ndërkaq, ekipi i unitetit në Kosovë është mbledhur sërish sot për të përcaktuar qëndrimin që do të mbahet në takimin me sekretaren amerikane të shtetit, Kondolica Rajs, parashikuar për të hënën, 23 korrik.
Rajs ka folur sot në telefon me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov edhe për rezolutën e Kosovës. Argumentat e tjera të bisedës kanë qenë tërheqja e Kremlinit nga Traktati mbi armët konvencionale në Evropë, Lindja e Mesme dhe programi bërthamor iranian. Po sot, Moska, nëpërmjet një funksionari të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralit Buzhinski, propozoi një marrëveshje të re që të zëvendësojë Traktatin e vjetër mbi armët konvencionale, konsideruar si jo më i kohës nga qeveria e presidentit Vladimir Putin. Rusia nuk ka pranuar ndërkaq, propozimin e NATO-s për një Konferencë të jashtëzakonshme mbi problemet e Traktatit. Kujtojmë se ky traktat u nënshkrua në Paris në vitin 1990 nga vendet e Paktit të Varshavës dhe NATO-s.
Duket se çështja e Kosovës është shtruar për t’u zgjidhur pikërisht në këtë konjukturë të vështirë marrëdhëniesh ndërmjet Rusisë dhe vendeve perëndimore. Edhe gazeta e Vatikanit, “Osservatore Romano” i ka kushtuar çështjes mëse një artikull, kohët e fundit. Të dielën, Pierluigji Natalia shkruante “Kosova: kërkohet akoma një marrëveshje e vështirë”. Në numrin e sotëm, në një artikull tjetër me titull “Akoma asnjë marrëveshje mbi çështjen e Kosovës”, nënvizohet: “Sipas disa vëzhguesve, është e mundur që në ditët e ardhshme, Këshilli i Sigurimit ta votojë gjithsesi dokumentin, edhe pa konsensus me Rusinë, e cila në këtë rast do të vendoste veton. Natyrisht, kjo do ta bënte rezolutën të pavlefshme në planin juridik, por mund të ketë pasoja në atë politik”. Gazeta i referohet kërkesës kosovare që perëndimi të gjejë një rrugë alternative për zgjidhjen e statusit të Kosovës, pa Këshillin e Sigurimit të OKB-së.







All the contents on this site are copyrighted ©.