Solana: pa konsensus për Kosovën në OKB, bisedime Prishtinë-Beograd me Grupin e Kontaktit
(17.07.2007 RV)Pas vendimit të Rusisë për të mos mbështetur rezolutën e pestë
mbi statusin e Kosovës, të paraqitur dje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, qeveria
e Prishtinës mendon se ka ardhur koha për të krijuar rrugë të tjera drejt pavarësisë.
Më 25 korrik në Berlin do të zhvillohet një takim tjetër ndërmjet SHBA-ve, Britanisë
së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, pa pjesëmarrjen e Rusisë. Qëllimi është
gjetja e një zgjidhjeje të re, por që tani Uashingtoni, Parisi dhe Londra kanë paralajmëruar
se gatishmëria e tyre për një kompromis në çështjen e Kosovës po pakësohet me shpejtësi.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Havier Solana deklaroi
se nëse nuk do të arrihet në një rezolutë të OKB-së, fjala i kalon Grupit të Kontaktit,
i cili do të nisë bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Këto nuk mund të jenë
pa fund, shtoi Solana pas takimit me Ahtisarin në Bruksel, por mund të zgjasin maksimumi
120 ditë. Sot, qeveria gjermane përsëriti mbështetjen ndaj planit të Ahtisarit, duke
e përkufizuar si zgjidhja më e mirë për Kosovën. Sipas burimeve diplomatike, Rusia
ka kërkuar që çdo lloj rezolute që do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të miratohet
më parë nga të dyja palët, përndryshe – e dje ambasadori Vitali Çurkin qe plotësisht
i qartë – Rusia do të vendosë veton. Opcioni i shpalljes së njëanshme të pavarësisë
së Kosovës është akoma larg dhe i padëshirueshëm për ndërkombëtarët, sidomos për Bashkimin
Evropian që do të përçahej mbi argumentin, por po bëhet gjithnjë e më i afërt për
kosovarët, të sigurtë në mbështetjen amerikane. Sot Sekretari i Pergjithshëm i Kombeve
të Bashkuara, Ban Ki Mun u takua me presidentin amerikan Xhorxh Bush. Diskutimi kishte
të bënte kryesisht me Lindjen e Mesme e gjendjen në Irak, por u fol edhe për Kosovën.
Në
kuadrin e turneut të tij evropian për të krijuar konsensus për çështjen e Kosovës,
kryeministri serb Vojisllav Koshtunica është takuar sot me kancelaren gjermane,
Angela Merkel dhe ministrin e jashtëm, Frank Valter Shtajnmajer, të cilëve u ka
ripohuar se Beogradi nuk do të lejojë një Kosovë të pavarur. Dje Koshtunica kreu një
vizitë në Portugali, e cila mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Pas bisedimeve
me autoritetet e portugeze, kryeministri serb deklaroi se Beogradi është gati t'i
japë Kosovës më shumë autonomi, por nuk do të bëjë tregti me pavarësinë e saj për
të hyrë në Bashkimin Evropian.