(17.07.2007 RV)Deri më 24 korrik, politikanët e Tiranës kanë kohë të gjejnë
konsensusin mbi kandidaturën për president. Sot Partia e Bashkimit për të drejtat
e njeriut, e cila përfaqëson minoritarët grekë, deklaroi se do të mbështesë kandidatin
e djathtë, Bamir Topi. Nga ana tjetër, lideri i socialistëve Rama pretendon që ky
i fundit të tërhiqet nga gara, e vetëm në atë rast socialistët do të marrin pjesë
në votime e do të mbështesin kandidaturën e Neritan Cekës. Propozimet që vijnë nga
politika për të siguruar votat e nevojshme vënë në dukje qartë se fjala është për
pazar postesh e pushteti. Në këto kushte, opcioni i shpërndarjes së parlamentit dhe
i zgjedhjeve të parakohshme do të ishte madje i shkëlqyer, sikur politikanët në garë
të mos ishin gjithnjë po këta e sikur zgjedhjet të zhvilloheshin mbi baza më të shëndosha
ligjore nga sa e lejon gjendja aktuale.