2007-07-17 18:32:27

Mendim i imzot Ravazit për përshpirtërinë e malit.


(17.07.2007 RV)RealAudioMP3 Të djelën e kaluar, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI nënvizoi admirimin e tij për bukuritë natyrore, të cilat shndërrohen lehtë në lutje. Një mendim për këtë shndërrim të bukurisë në himn lavdërimi për Krjuesin e saj, na e jep, në mikrofonin tonë, imzot Gjanfranko Ravazi, prefekt i Bibliotekës Ambroziane:
Përgjigje: - Dëshroj të nisem nga një frazë e një shkrimtari anglez, e pikërisht e Çestertonit, i cili në një nga veprat e tij thotë: “Bota do të mbarojë jo pse i mungojnë mrekullitë, por pse i mungon aftësia për t’u mrekulluar”. Njerëzimi do ta humbasë humanitetin e vet të thellë e identitetin e vet, atëherë kur nuk do të ketë më aftësi për t’u mahnitur, për të kundruar. Posaçërisht në vizionin fetar, njeriu arrin të depërtojë në brendësinë e kozmosit – e jo rastësisht quhet kozmos, fjalë greke që do të thotë i rregullt – e të gjejë në të një mesazh të mbinatyrshëm, të gjejë shenjat e Krijuesit. Parë në këtë dritë, është e natyrshme që duhet ta kesh aftësinë për t’u mrekulluar.
Pyetje: - Si në Besëlidhjen e Vjetër, ashtu edhe në të Renë mali është gjithnjë vend i lidhur me çaste të jashtzakonshme, që i paraprijnë vendimeve të rëndësishme: mjafton të mendojmë për jetën e Jezusit…
Përgjigje: - Kjo është më se e vërtetë! Në një farë çasti – e unë e kam bërë një herë këtë me një libër të tërë - mund të rindërtohen të gjitha malet e Biblës e janë vërtetë një vargan i pafund. Vetë Krishti në Malin e Lumturive, paraqet gati paralelisht me Sinain, ligjin e tij të ri, të plotë të përkryer, por që lidhet gjithnjë me atë që zbriti si zëri i Zotit, përmes fjalës së Moisiut, nga ajo majë. Dua të kujtoj se ekziston, pastaj, edhe një mal gjeografikisht krejt i parëndësishëm, që tanimë mbyllet brënda një bazilike: e kam fjalën për një majë shkëmbore 7-8 metrash, për Kalvarin, në hebraisht Golgota, që u bë vend simbolikisht qëndror për fenë e krishterë e, sadopak, edhe për të gjithë ata që kundrojnë misterin e dhimbjes e të shpresës.
Pyetje: - Benedikti XVI po kalon një periudhë pushimesh, duke na kujtuar se pushim nuk do të thotë të dalim nga vetvetja…
Përgjigje: - Kjo është e vërtetë. Po e them menjëherë se fjala pushim ‘vakancë’ vjen nga latinishtja, nga folja latine ‘vacare’, që nuk do të thotë zbraztësi, boshllëk, vakuum, por impenjim, do të thotë ‘t’i kushtohesh diçkaje”. E në këtë dritë duhet ta rizbulojmë edhe ne pushimin, posaçërisht kur tundohemi të bëjmë një pushim që s’është tjetër, veçse imitim i pështjellimit, i lodhjes e i zhurmës së kohës së punës, që bëjmë gjatë gjithë vitit. Mendo, për shembull, ata që shkojnë të pushojnë në qytete të ndryshme bregdetare, të cilat në fund të fundit s’janë tjetër, veçse vise ku ridëgjohen të gjitha zhurmat e ripërtrihen të gjitha tensionet e jetës në qytete. Ndërsa do të ishte mirë të kujtojmë se majat e maleve janë simbolikisht më frymëzuese e të ndihmojnë të rigjesh aftësinë për të hyrë në vetvete...







All the contents on this site are copyrighted ©.