2007-07-17 18:32:10

Atë Federiko Lombardi: zhdëmtimi i rëndë, i caktuar nga kryedioqeza e Los Ánxhelos, shenjë e impenjimit të Kishës kundër pedofilisë.


(17.07.2007 RV)RealAudioMP3 Plagë - e quan Atë Lombardi pedofilinë në radhët e klerit. Pas deklaratës së djeshme, dhënë mjeteve të komunikimit shoqëror nga kardinali-kryeipeshkëv i Los Ánxhelos, Roxher Mahoni, edhe drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Lombardi, flet për dëmshpërblimin e caktuar nga kryedioqeza e Los Ánxhelos në favor të 508 viktimave të shpërdorimeve seksuale. Të dëgjojmë fjalët e Atë Lombardit në këtë notë:
“Kuptohet vetvetiu se marrëveshja e arritur nga kryedioqeza për zhdëmtimin e një numri të madh rastesh të shpërdorimeve seksuale nga ana e priftërinjve, rregulltarëve e laikëve të kryedioqezës, ndodhur në dhjetvjeçarin e fundit, është lajm që ka tërhequr vëmendjen e shumkujt, si për numrin e rasteve, ashtu edhe për shifrat e zhdëmtimit.
Por, ashtu siç deklaroi kardinali Mahoni - e siç kanë theksuar shumë herë Gjon Pali II dhe Benedikti XVI – Kisha mbi të gjitha ndjen keqardhje të thellë për vuajtjet e viktimave dhe të familjeve të tyre, për plagët e thella që u janë hapur nga sjelljet e rënda e të pafalshme të disa prej anëtarëve të saj dhe është e vendosur të impenjohet me të gjitha mjetet për të shmangur rrezikun e përsëritjes së ndyrësive të tilla.
Marrëveshja e arritur, me gjithë flijimet që përmban, është edhe ajo një shenjë e këtij impenjimi, e vendimit për të mbyllur një faqe të dhimbshme e për të shikuar përpara në veprimtarinë për parandalimin dhe për krijimin e një mjedisi gjithnjë më të sigurtë për fëmijët e të rinjtë në të gjitha fushat e veprimtarisë baritore të Kishës.
Gjithsesi, duke pasur parasysh se problemi i shpërdorimeve mbi fëmijët dhe i mbrojtjes së tyre nuk ka të bëjë aspak vetëm me Kishën, por edhe me institucione të tjera, është e drejtë që edhe këto të marrin me vendosmëri masat e nevojshme. Kisha, e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka ndaj rinisë, po përpiqet të jetë në radhët e para të luftës kundër pedofilisë në të cilën, me të drejtë, po impenjohen sektorë gjithnjë më të gjërë të shoqërisë në vende të ndryshme të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.