2007-07-16 17:41:29

Takim i shkurtër i zëdhënësit të Vatikanit, Atë Lombardit me gazetarët.


(16.07.2007 RV)Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, u takua për pak çaste me gazetarët, të cilëve u shpjegoi se enciklika e dytë e Papës është ende në fazë fillestare, në fazën e idesë, të reflektimit shkencor, që mundet, pastaj, të hidhet në letër. Gjatë kësaj periudhe - shtoi Atë Lombardi – Benedikti XVI po i kushtohet më shumë pjesës së dytë të librit të tij “Jezusi i Nazaretit”. Atë Lombardi foli edhe për shtegtimet e ardhshme apostolike të Papës. Përveç shtegtimit të shtatorit në Loreto e në Vjenë dhe atij të 21 tetorit në Napoli si dhe në Sidnei për Ditën Botërore të Rinisë, që u kujtua edhe gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Drejtori i Sallës së Shtypit foli edhe për dy shtegtime të tjera, data e të cilave mbetet për t’u caktuar. Është fjala për vizitën në Shenjtëroren e Lurdës dhe në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Atë Lombardi foli edhe për dokumentat e fundit të Papës. Letra drejtuar katolikëve kinezë – nënvizoi – është dokument historik i jashzakonshëm, tepër aktual, që do të ketë ndikim mbi historinë dhe mbi jetën e vendit aziatik. Përsa i përket Motu Proprios mbi përdorimin e Mesharit të 1962-shit në gjuhën latine, Atë Lombardi ripohoi se as që mund të bëhet fjalë për hapa mbrapa, e aq më pak, për të vënë në diskutim Koncilin II të Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.