2007-07-16 19:07:45

Bush:konferencë mbi Lindjen e Mesme në vjeshtë


(16.07.2007 RV) Sot Për dy orë në Jeruzalem u takuan kryeministri izraelit Ehud Olmert dhe presidenti palestinez Abu Mazen. Takimi është përkufizuar si “konstruktiv” nga funksionarët palestinezë. Izraeli do të lirojë të premten e ardhshme 250 të burgosur palestinezë. Lista e personave do të miratohet nesër nga një komision ministerial izraelit. Rreth 85% e të burgosurve do të jenë militantë të Al Fatahut, partisë së Abu Mazenit, ndërsa të tjerët anëtarë të partive më të vogla palestinese, por asnjë i Hamasit. Të gjithëve do t’u kërkohet të nënshkruajnë një deklaratë, me të cilën heqin dorë nga dhuna.
Mbi çështjen izraelito-palestineze foli sot edhe presidenti amerikan, Xhorxh Bush, i cili shprehu mbështetjen e tij ndaj qeverisë së re palestinese të kryeministrit Salam Fajad dhe ndaj emërimit të ish-kryeministrit britanik, Toni Bler si i dërguar i Kuartetit për Lindjen e Mesme. Gjithashtu, Bush shpalli edhe një ndihmë prej 190 milion dollarësh për autoritetet palestineze dhe kërkoi mbledhjen e një konference ndërkombëtare në vjeshtën e këtij viti, për të promovuar procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
 
Në Liban është goditur një mjet tjetër i forcave të Kombeve të Bashkuara, UNIFIL. Për fat të mirë dëmet kanë qenë vetëm materiale. Levizjet estremiste Hezbollah dhe Amal janë distancuar duke dënuar sulmin, i cili akoma nuk është marrë përsipër nga ndonjë forcë në terren. Ndërkaq, vazhdon operacioni i ushtrisë libanese për të hyrë në kampin e refugjatëve Nahr al-Bared, në javën e tetë të luftimeve. Gjatë fundjavës përfunduan në Francë, bisedimet ndërmjet 14 partive libanese, përfshirë lëvizjen Hezbollah. Ministri i jashtëm francez, Bernar Kushner do të shkojë në Bejrut më 28 korrik, në përpjekjen për të kapërcyer krizën politike, që ka paralizuar Libanin nga nëntori i kaluar.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike bën të ditur se inspektorët e saj kanë konfirmuar mbylljen e reaktorit bërthamor në Jongbijon të Koresë së Veriut. Pas mbylljes së reaktorit Koreja e Veriut mori ndihmat e para ushqimore. Bisedimet gjashtëpalëshe që diskutojnë programet bërthamore të Piong-jangut do rifillojnë të mërkurën.







All the contents on this site are copyrighted ©.