2007-07-14 18:02:42

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(15.07.2007 RV)Sot, e diela XV e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, Kisha katolike kremtoi edhe Shën Bonaventurën, françeskan, kardinal, ipeshkëv i Albanos e doktor i Kishës.
Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Zojës së Karmelit, që tradita e Kishës në Shqipëri e njeh me emrin Zoja Karmë. Do të përkujtohet edhe Shën Maria Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera të mëshirës. Liturgjia e festës na kujton se Jezusi është në qëndër të gjithçkaje dhe na kërkon ta vemë mbi gjithçka: mbi prindërit, mbi bijtë e edhe mbi jetën tonë. Vetëm kështu nxënësi bëhet i denjë për Jezusin. Është një kërkesë që s’të lë në paqe, sepse i ngjet shpatës, që pret çdo lidhje.
Liturgjia e së martes na kujton se bashkimi i pakushtëzuar me Jezusin është kushti që duhet përmbushur për t’u shëlbuar. Fati i amshuar i secilit nga ne, lidhet me qëndrimin që mbajmë ndaj Zotit. Krishti na thotë edhe neve “Mjerë ti!”, kur e presim me indiferencë e nuk duam ta kuptojmë se pa Të nuk mund të kemi jetë. Është festa e Shën Marçelinës, virgjër, motër e Shën Ambrozit, ipeshkëv; e Shën Aleksit dhe e Shën Leonit IV, papë.
Në përkujtimin e Shën Emilianit, martir e të Shën Brunos së Senjit, ipeshkëv që do të kremtohen të mërkurën, liturgjia na kujton përgjigjen që Krishti i jep Hyjit: “Kështu të pëlqeu, ty, o Atë”, me të cilën miraton pa kushte vullnesën e Perëndisë. Përgjigja e Krishtit duhet të jetë përgjigja e çdo të krishteri.
Shën Simaku, që do të kremtohet të enjten, na kujton se Zoti nuk e then kurrë besën e dhënë. Ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin, duke i dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.
Të premten e ardhshme Kisha do të kremtojë festën e Shën Apolinarit, ipeshkëv i Ravenës e martir, të Shën Elisë profet e të Shën Aurelit të Kartagjenës, që e kaluan jetën duke besuar Zotin, në të cilin gjetën lirinë e plotë të shpirtit.
Shën Elia është pajtor i Berdicës e i Reçit, fshatra pranë Shkodrës, që të premtën do të jenë në festë.
Liturgjia e ditës së fundit të javës na kujton se shërimet që kryen Jezusi të shtunën, nuk duhen shikuar si shkelje e ligjit të Hyjit, por si shenjë e mëshirës së tij, që shprehet edhe në parafoljet e Izaisë profet. Mishërim i ligjit të mëshirës ishin edhe Shën Lorenci nga Brindizi, meshtar kaupuçin doktor i Kishës, Shën Prasedia romake e Shën Ezekieli profet, që do të kremtohen të shtunën e ardhshme. Është nata e festës së Shën Marisë Madalenë, që festohet nga etërit kapuçinë në Kishën e Taraboshit, në breg të lumit Bunë.







All the contents on this site are copyrighted ©.