Ngjarja e Atë Bosit duhet të na mësojë të mos flasim për misionarët vetëm në rrethana
dramatike.
(12.07.2007 RV)Shumfishohen thirrjet
për lirimin e Atë Gjankarlo Bosit, misionarit të PIME-s, rrëmbyer më 10 qershorin
e kaluar në Filipine. Dje, zevendës-kryetari i Parlamentit evropian, Mario Mauro,
kërkoi mobilizimin e institucioneve parlamentare në favor të rregulltarit italian.
Ndërsa agjensia MISNA njofton sot se edhe kreu mysliman i Filipineve, Asgar Sani,
ka bërë thirrje për lirimin e rregulltarit katolik. Gjithnjë sot, gazeta Manila Taims
i kushton një shkrim të gjatë ngjarjes, duke botuar edhe dëshmitë e besimtarëve të
famullisë së misionarit të cilët, për shkak të shtatlartësisë, e quajnë ‘vigani i
mirë’. Ndërkaq atë Piero Gedo, misionar i PIME-s e mik i atë Bosit, pohon me
hidhërim, në mikrofonin e Radios sonë, se për misionarët pothuajse gjithnjë flitet
vetëm në rrethana dramatike:Përgjigje: - Reflektimi im është ky: jam jashtëzakonisht
i kënaqur që po flitet kaq shumë për Atë Bosin, sepse del në pah një misionar që u
ka bërë shumë të mira njerëzve, sidomos të varfërve, që ka çuar, ku ka mundur, Jezu
Krishtin. Duke transmetuar vlerat e krishterimit, ka arritur të ndërrojë mendësinë
e shumë njerëzve. Sot flitet shumë për varfërinë e popujve, për padrejtësitë ndërmjet
Jugut e Veriut të botës e vijohet të pohohet se duhen dhënë shumë para. Harrohet se
zhvillimi nuk vjen nga paratë. Paratë janë të domosdoshme për të mbajtur gjallë jetën,
për të ngrënë, por zhvillimi vjen kryesisht nga ndryshimi i mendësisë.