Benedikti XVI falënderon banorët e Lorencagos për pritjen e ngrohtë në këto ditë pushimi.
(12.07.2007 RV)Pyjet e mrekullueshme
e bjeshkët madhështore të Dolomiteve vijojnë të jenë sfondi i periudhës së pushimeve
të Benediktit XVI në Lorencago, në sa banorët po bëjnë çmos që Papa të ndjehet sa
më mirë në mes tyre. Prandaj edhe Ati i Shenjtë u drejtoi dje një mesazh falënderimi
përmes sekretarit të tij, don Genshvain, i pranishëm në koncertin për nder të Papës
në ditën e emrit dhe vlerësoi lart ‘Schola Cantorum’ të Kishës famullitare,
duke kujtuar fjalët e Shën Agostinit: “Kush këndon, lutet dy herë”. Ndërkaq sot
Lorencago, në një atmoferë feste të dyfishtë, kremtoi Pajtorët e vet, Shën Ermagorën
e Shën Fortunaton. Pushimi i Papës, si zakonisht, gërshetohet edhe me çaste të
mirëfillta pune, prandaj nuk mungojnë as takimet e domosdoshme për vijimin e shërbimit
të tij baritor, që nuk njeh pushim. Në këtë kuadër bën pjesë edhe vizita e sekretarit
të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, në Lorencago të Kadores më 18
korrikun e ardhshëm. Pas vizitës në shtëpinë ku banon Papa, me të cilin do të flasë
për situatën aktuale, kardinali Bertone do të zbresë në Pieve të Kadores, dy hapa
më larg, për t’u takuar me gazetarët. Në orën 16. 30, në sallën e konferencave të
Kozmos, do të paraqesë bilancin e vitit të tij të parë si sekretar i Shtetit të Shenjtërisë
së Tij. Njoftimi është i zëdhënësit të ipeshkvit të Beluno-Feltres, don Gjuzepe Bratit
në takimin me gazetarët që e ndjekin nga afër pushimin papnor në Lorencago. Ndërsa
sot Benedikti XVI doli për të shëtitur në drejtim të Kishës historike të Shën Ursulës,
në Vigo të Kadores.