2007-07-10 17:31:34

U publikua nga Kongregata e Doktrinës së Fesë një Dokument që ka të bëjë me disa çështje të Kishës katolike.


(10.07.2007 RV)Një sërë përgjigjesh dhënë po aq pyetjeve, për të shmangur shpjegimin e gabuar ose të kufizuar të mësimeve që na jep Koncili II i Vatikanit lidhur me natyrën e Kishës katolike. Këtë qëllim ka Dokumenti, që u publikua sot paradite nga Kongregata për Doktrinën e Fesë, titulluar “Përgjigje pyetjeve që kanë të bëjnë me disa aspekte të Doktrinës mbi Kishën”. Është një dokument që, duke pasqyruar zhvillimet e rëndësishme ekumenike, sqaron posaçërisht aspektin sipas të cilit Kisha e Krishtit ekziston në këtë të sotmen, që drejtohet nga Papa e nga ipeshkvijtë. Për shpjegimin e Dokumentit, ftuam në mikrofonin e Radios sonë kryeipeshkvin Angjelo Amato, sekretar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë:
 
Përgjigje: - Përballë interpretimeve të gabuara ose të kufizuara të doktrinës konciliare, Kongregata për Doktrinën e Fesë dëshiron të kujtojë domethënien e vërtetë të shprehjes ‘subsistit in’, që gjindet në kushtetutën dogmatike mbi Kishën ‘Lumen gentium’.

Pyetje: - Pse përdoret gjinia latrare, e cila njihet me emrin “Responsa”, që do me thënë ‘përgjigje dyshimeve’?

Përgjigje: - Është një gjini që nuk kërkon argumentime të gjëra e të hollësishme, karakteristikë, për shembull, e udhëzimeve ose Notave doktrinore. Në rastin tonë, kemi të bëjmë me disa përgjigje të shkurtra, të cilat lidhen me dyshimet për shpjegimin korrekt të Koncilit. Konktretisht janë pesë pyetje e pesë përgjigje sintetike, që mjaftohen të kujtojnë Mësimet e Papës, për të ofruar një fjalë të qartë e të sigurtë lidhur me çështjen.
 
Pyteje: - A mund të na e shpjegoni shkurtimisht përmbajtjen e ‘Responsës’?

Përgjigje: - Së pari pyetet në se Koncili II Ekumenik i Vatikanit e ka ndryshuar doktrinën e mëparshme të Kishës. Kongregata përgjigjet duke pohuar se Koncili II Ekumenik i Vatikanit as nuk ka dashur ta ndryshojë e as nuk e ka ndryshuar këtë doktrinë, por ka dashur vetëm ta zhvillojë, ta thellojë e ta paraqesë më gjërësisht, siç pohoi qartë Gjoni XXIII në fillim të Koncilit : “… Koncili… dëshiron ta transmetojë doktrinën katolike të pastër e të plotë, pa zbutje e pa shtrembërime”.

Pyetje: - Duket se pyetja e dytë është kryesorja. Pyetet: ‘Si duhet kuptuar pohimi sipas të cilit Kisha e Krishtit ‘ekziston’ në Kishën katolike?

Përgjigje: - Po. Është pyetja që ka pasur përgjigje nga më të ndryshmet, e jo të gjitha në përkim me doktrinën konciliare mbi Kishën. Përgjigja e Kongregatës, duke cituar Koncilin, thotë se Krishti krijoi mbi tokë një Kishë të vetme: “Kjo Kishë […] ekziston në Kishën katolike, të qeverisur nga Pasardhësi i Pjetrit e nga ipeshkvijtë në bashkim me të”. Fjala ekzistencë përdoret për të treguar vazhdimësinë e përhershme historike si dhe vazhdimësinë e të gjithë elementeve të themeluara nga Krishti në Kishën katolike, e cila është konkretisht Kisha e Krishtit mbi tokë.
Pyetje: - Pse Koncili përdor shprehjen ‘subsistit in’(ekziston në) dhe jo formën që përdoret në gjuhën e folur ‘është’.

Përgjigje: - Ndokush e ka interpretuar këtë si ndryshim rrënjësor të Doktrinës mbi Kishën. Në të vërtetë shprehja ‘subsistit in’, që ripohon përkimin e plotë të Kishës së Krishtit me Kishën katolike, nuk e ndryshon doktrinën mbi Kishën. Ajo shpreh më qartë se jashta strukturës së saj nuk ka zbraztësi kishtare, por gjinden elemente të shumta të shenjtërimit e të vertetësisë të cilat, si dhurata tipike të Kishës së Krishtit, i japin shtytje unitetit katolik.

Pyetje: - Këto përgjigje kanë edhe një aspekt të rëndësishëm ekumenik. Prandaj pyetja e katërt është: Pse Koncili II Ekumenik i Vatikanit i quan me emrin ‘Kisha’ Kishat lindore të shkëputura nga bashkimi i plotë me Kishën katolike?

Përgjigje: - Përgjigjën na e jep dekreti konciliar mbi ekumenizmin, që pohon: “Me qenë se këto Kisha, ndonëse të ndara, kanë sakramente të vërteta e sidomos, për virtyt të vazhdimsisë apostolike, kanë edhe Meshtarinë dhe Eukaristinë, përmes të të cilave mbeten akoma të bashkuara me ne, me lidhje të ngushta”, meritojnë titullin ‘Kisha të posaçme ose lokale’ e quhen Kisha motra të Kishave të posaçme katolike”. Por duhet saktësuar se bashkimi me Kishën katolike, kryetar i dukshëm i së cilës është Ipeshkvi i Romës e Pasardhësi i Shën Pjetrit, nuk është ndonjë element plotësues i jashtëm i Kishës së posaçme, por një nga parimet themelore të brëndshme. Prandaj në gjendjen e Kishës së posaçme, që gëzojnë këto bashkësi të nderuara kristiane të Lindjes, ndjehet një mangësi.

Pyetje: - E, ja edhe pyetja e fundit: Pse tekstet e Koncilit e të Magjisterit pasues nuk i japin titullin ‘Kishë’ Bashkësive të krishtera të lindura nga Reforma e shekullit të 16-të?

Përgjigje: - Në këtë këndvështrim, duket thënë se plaga është ende tepër e thellë. Pas njëmijë e pesëqind vjetësh tradite katolike, këto bashkësi nuk kanë ruajtur vazhdimësinë apostolike në sakramentin e shugurimit, duke i hequr vetes një element themelor, pa të cilin Kisha nuk mund të quhet Kishë. Për shkak të mungesës së urdhërit meshtarak, këto bashkësi nuk e kanë ruajtur lënden e vërtetë e të plotë të Misterit eukaristik. Prandaj edhe, sipas doktrinës katolike, nuk mund të quhen kisha në kuptimin e plotë të kësaj fjale.

Pyetje: - Ç’ dëshironi të shtoni, në përfundim?

Përgjigje: - Janë tre, përfundimet në të cilat mund të arrijmë nga Responsa. Së pari, duhet theksuar vazhdimësia ndërmjet doktrinës tradicionale, asaj konciliare e asaj paskonciliare. Fytyra e re e Kishës nuk kërkon shkëputje, por harmoni e mirëkuptim gjithnjë më të plotë në bashkimin e unicitetin e saj.
Së dyti, Kisha e vetme e Krishtit, pavarësisht nga ndarjet, ekziston në histori, në Kishën katolike. Së treti, identifikimi i Kishës së Krishtit me Kishën katolike nuk duhet kuptuar sikur jashtë kësaj Kishe të kishte zbraztësi kishtare, sepse në kishat e bashkësitë e ndara kishtare ka elemente të rëndësishme të Kishës. Si përfundim, duke zhdukur shpjegimet e rreme mbi Kishën, përgjigjet tona kontribuojnë për forcimin e dialogut ekumenik që, përveç hapjes së bashkëbiseduesve, duhet të mbrojë akoma identitetin e fesë katolike. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet në bashkimin e gjithë të krishterëve në një grigjë të vetme me një bari të vetëm, duke shëruar kështu plagën që akoma sot e pengon Kishën katolike ta realizojë plotësisht universalitetin e saj në histori.







All the contents on this site are copyrighted ©.