‘Motu proprio e Papës për Meshën në latinisht ‘është një hap pozitiv’: pohon kardinali
Lehman, kryetar i Kishës gjermane.
(09.07.2007 RV)‘Me nismën e tij liturgjike, Papa Benedikti XVI dëshiron të
japë kontributin e tij për pajtimin në Kishë. Ipeshkvijtë gjermanë, ashtu si ata francezë
e zviceranë, janë në përkim të plotë me frymën dhe qëllimin që Benedikti XVI i shpjegoi
në Motu Proprion e tij ‘Summorum Pontificum’, që lejon përdorimin liturgjik
të Mesharit Romak të 1962-shit. Të shtunën e kaluar, në çastin kur Motu Proprio publikohej
zyrtarisht, kryetari i Konferencës ipeshkvnore gjermane, kardinali Lehman, mbajti
një konferencë shtypi në Munih të Bavarisë, për të shprehur qëndrimin e Kishës vendase
ndaj dokumentit papnor. Të dëgjojmë disa fragmente të fjalës së Kardinalit gjerman: “Jam
plotësisht i bindur se është një hap pozitiv për të gjithë ata që e duan këtë tip
Meshe e që nuk dëshirojnë të lihen mënjanë, sikur të ishin duke bërë ndonjë gjë anormale.
Nuk është e drejtë të vlerësohet negativisht një Meshë që është përdorur për shekuj
me radhë në Kishë. Kush përpiqet ta bëjë këtë e flet për shkëputje, domethënë se s’ka
kuptuar asgjë”. Nuk përdor fare diplomaci, kardinali Lehman, kur shpjegon
qëndrimin e Kishës gjermane ndaj Motu Proprio-s së Benediktit XVI. Ndërmjet botimit
të Mesharit Romak, shpallur 45 vjet më parë nga i Lumi Gjoni XXIII dhe formës së rishikuar
pas Koncilit – lexohet në Komunikatën e publikuar pardje në Munih – nuk ka shkëputje,
siç thonë disa. Nuk ka kurrfarë hendeku ndërmjet ‘para koncilares’ e ‘paskonciliares’.
Çka ekziston, është vazhdimësi në evoluim së cilës, për fat të keq, nuk i është kushtuar
vëmendja e duhur. Këtë vazhdimësi kardinali Lehman e shikon si vlerë, duke nisur
nga vetë formimi meshtarak: “Besoj se ky tip meshe ka qenë gjithnjë pjesë e
Kishës, e prej këndej, bën pjesë edhe në jetën time. Është e vërtetë se kur isha meshtar
i ri, me këtë Meshë kam thelluar devocionin tim për Eukaristinë. Nuk e kam perceptuar
kurrë si diçka të huaj. Por ndërkaq duhet të them edhe se gjatë misionit tim 25-vjeçar
si ipeshkëv, kam vërejtur se, pa marrë parasysh disa shpërdorime, reforma liturgjike
mund të konsiderohet një veprimtari e realizuar me sukses”. Në Gjermani, ashtu
si në shumë dioqeza të botës, grupe të ndryshme kanë kërkuar prej kohe ta kremtojnë
Meshën latinisht, sipas formës së vjetër liturgjike. Tani – pohohet në Komunikatën
e Konferencës ipeshkvnore gjermane – ipeshkvijtë e meshtarët duhet t’u përgjigjen
me kujdes këtyre kërkesave, duke shmangur rrezikun e kundërvënies. Këtë skenë kardinali
Lehman e përshkruan kështu: “Shifrat – pa dashur të luajmë me fjalë e aq më
pak të bëjmë politikë – tregojnë se numri i të krishterëve që e ndjejnë veten më pranë
formave tradicionale, nuk është shumë i lartë, në krahasim me ata që janë më larg.
Për këtë e për arsye të tjera, mendoj se atmosfera nuk është tepër e trazuar. Shpresoj
se të dyja palët do të arrijnë t’i orientojnë “kokat e forta’ drejt një qëndrimi më
të moderuar. E këtë dëshiron edhe vetë Papa”.