2007-07-09 17:54:24

Pritje festive për Benediktin XVI, në Lorencago të Kadores ku filloi sot pushimet verore.


(09.07.2007 RV)RealAudioMP3 Ati i Shenjtë filloi sot periudhën e pushimeve verore në Lorencago të Kadores, në shtëpinë e dioqezës së Trevizos, pranë Kështjellës së Mirabelës. Papa do të pushojë këtu deri më 27 korrik, kur do të shkojë në Kastel Gandolfo. “Ajri i bjeshkës – tha dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot - do të më bëjë mirë e do t’i kushtohem lirisht reflektimit e lutjes”.
Pasi i ka kaluar dy herë rresht pushimet në Lë Kombë të Vale d’Aostës, sivjet Benedikti XVI shkoi në Kadore, në përkujtim të njëzetvjetorit të vizitës së parë të Gjon Palit II në këto vise të mrekullueshme malore, që i kanë kushtuar Papës Vojtila një monumet artistik pikërisht në hyrje të vilës ku pati pushuar.
Papa Racinger u nis sot paradite në orën 10.00 nga Vatikani drejt Aeroportit të Çampinos, prej nga avioni papnor fluturoi për në aeroportin Trevizo- Istrana, ku për ta pritur Atin e Shenjtë kishte dalë ipeshkvi i Trevizos, imzot Andrea Bruno Maxokato; kryetari i rajonit të Venetos, Gjankarlo Galan dhe autoritete të tjera civile e kishtare të Lorencagos, si dhe disa qindra banorë vendas, turistë e fëmijë.
Duke folur me gazetarët, mendimi i Papës shkoi menjëherë te Atë Bosi, misionari italian i rrëmbyer më 10 qershorin e kaluar në Filipine. “Mendoj çdo ditë për të” - tha Papa, që arriti në Lorenzago rreth orës 12. 00.
Benedikti XVI u strehua në të njëjtën vilëz, ku pati pushuar gjashtë vera me radhë Gjon Pali II, e pikërisht në vitet 1987-1988, 1992-1993, 1996, 1998.
Përsa i përket lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë do ta kremtojë të dielën, më 15 korrik, nga selia e Kështjellës së Mirabelës; ndërsa të dielën, më 22 korrik, nga Sheshi Kalvi i Lorencagos.
Gjatë kësaj periudhe audiencat e përgjithshme të së mërkurës të datave 11, 18 e 25 korrik do të ndërpriten, për të rifilluar të mërkurën, më 1 gusht, në orën 10. 00. Ndërpriten, gjithashtu, të gjitha audiencat private e të posaçme.
Kujtojmë se dje Benedikti XVI u uroi të gjithëve të pushojnë sadopak për rikalitjen e energjive fizike e shpirtërore dhe nënvizoi se një pushim i tillë i ndihmon shpirtit të ngjitet drejt lartësive, duke e shkëputur nga ultësirat, ku na tërheq nganjëherë jeta e përditshme. Por, mbi arritjen e Benediktit XVI në Lorencago, të ndjekim në mikrofonin e Radios sonë, të dërguarin e gazetës italiane ‘Avvenire’, Salvatore Maca:
Përgjigje: - Ishte një pritje shumë e ngrohtë. Papa, që vjen këtu për herë të parë, shkëmbeu dy fjalë si me fëmijët, ashtu edhe me gazetarët e pranishëm, që e pyetën në se kishte në plan ndonjë punë të veçantë, ndonjë enciklikë në përgatitje e sipër, për shembull. Papa u përgjigj: - Të shohim, ndoshta… E kjo do të thotë se, si gjithnjë, ky çast pushimi, mund të shfrytëzohet edhe si çast pune, studimi, reflektimi.
Pyetje: - Dy fjalë për atmosferën në Lorencago?
Përgjigje: - Shumë festive. Banorët presin prej 10 vjetësh, që më 1998, kur këtu erdhi për herë të fundit Gjon Pali II, të shikojnë përsëri një papë në bjeshkët e tyre. E tani kjo dëshirë u realizua. Prandaj gjithë vendi është plot me flamuj, të gjitha dritaret, të stolisura me lule: është e qartë se banorët deshën ta shprehin edhe me këto simbole gëzimin e tyre për këtë kthim të Papës në gjirin e natyrës mahnitëse të bjeshkëve të tyre, nga të cilat këto ditë drejtohen sytë e mbarë botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.