2007-07-09 17:54:38

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot theksoi: ‘Misionarët janë mbartës të paqes’.


(09.07.2007 RV)‘Figura e misionarëve, vlera e pushimit veror, çlodhja ndërmjet bjeshkëve, rëndësia e sportit si mjet i paqes’. Këto tema preku Papa dje në lutjen e fundit të Engjëllit të Tënzot para se të fillonte sot pushimet në Dolomitet e Lorencagos së Kadores. Papa i përshëndeti edhe të rinjtë që kryen shtegtimin tradicional të Kryqit mbi Malin Adamelo, duke i ftuar më pas të gjithë të rinjtë për takimin në Loreto, në fillim të muajit shtator.
“Vreshti i Zotit kërkon gjithnjë punëtorë të rinj, që janë pak në krahasim me kërkesat e popullit të Hyjit”. Duke komentuar Ungjillin e së dielës, që tregon sesi Jezusi i dërgoi shatëdhjetë e dy nxënësit e vet nëpër fshtarat, ku do të shkonte për të predikuar, Papa vuri në dukje se misioni nuk u përket vetëm Dymbëdhjetë Apostujve:
“Ka punë për të gjithë në arën e Hyjit. Po Krishti nuk mjaftohet vetëm t’i dërgojë misionarët: u jep edhe këshilla të qarta sesi duhet të sillen. Sidomos i nis dy nga dy, që ta ndihmojnë njëri-tjetrin e të japin dëshminë e dashurisë vëllazërore. I paralajmëron se do të jenë “si qengjat në mes të ujqërve; prandaj, pavarësisht nga të gjitha, duhet të jenë paqësorë e të çojnë në çdo situatë mesazhin e paqes; nuk do të kenë me vete rroba as para, sepse do të jetojnë me çka t’u japë Provania Hyjnore; do të kujdesen për të sëmurët, si shenjë e mëshirës së Zotit; do të largohen prej njerëzve që nuk do t’i pranojnë, por duke u kujtuar se kanë përgjegjësi për mospranimin e mbretërisë së Hyjit”.
Si e përfundoi mendimin shpirtëror, Benedikti XVI u kujtoi mijëra besimtarëve të mbledhur poshtë dritares së tij në Sheshin e Shën Pjetrit se do të nisej për pushime në bjeshkët beluneze të Lorencagos së Kadores, ku ka kaluar dy herë pushimet Gjon Pali II. “Ajri i bjeshkës do më bëjë mirë – tha Papa – e shpresoj se do të mund t’i kushtohem më lirisht reflektimit e lutjes.
“I uroj të gjithë, posaçërisht ata që kanë më shumë nevojë, të mund të pushojnë sadopak, për të rikalitur energjitë fizike e shpirtërore e për të shëtitur në gjirin e shëndetshëm të natyrës. Mali, posaçërisht, të kujton ngjitjen e shpirtit drejt lartësive, drejt ‘majave të larta’ të natyrës sonë njerëzore, në sa për fat të keq jeta e përditshme përpiqet ta tërheqë poshtë, drejt ultësirave”.
Mendimi për malin i dha Papës shtytjen t’u drejtonte një përshëndetje të veçantë të rinjve e të rejave të cilët pikërisht në sa ai kremtonte lutjen e Engjëllit të Tënzot, me Meshën e kremtuar në trimijë metra lartësi në Qafën e Lobies, jetonin kulmin e shtegtimit rinor në Kryqin e Adamelos, masiv alpin ndërmjet provincave të Trentos e të Breshies. Më pas Papa i ftoi gjithë të rinjtë për një takim shumë të rëndësishëm:
”U rikujtoj gjithë të rinjve italianë takimin më 1 e 2 shtator në Loreto. Të gjithë juve ju uroj të dielën të gëzuar e pushime çlodhëse! Mirupafshim!”.Gjatë përshëndetjeve në pesë gjuhë, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI ripohoi se sportet janë shenjë që tregon se paqja është e mundshme. E bëri këtë, duke përshëndetur në gjuhën angleze pjesëmarrësit në turneun e hendbollit “Interamnia World Cup” që sipas programit, do të zhvillohet në qytetin abrucez të Teramos. Pjesëmarrësit në këtë takim – kujtoi Papa – vijnë nga më se njëqind vende të ndryshme, disa nga të cilat janë në konflikt ndërmjet tyre. Prej këndej, ky takim paqësor atletësh – përfundoi Ati i Shenjtë – është shembull që tregon se sporti mund të sjellë frymën e miqësisë ndërmjet popujve e kulturave”.







All the contents on this site are copyrighted ©.