Më 9 korrik Kisha përkujton Shën Adrianin III, papë.
(09.07. 2007 RV)Shën Adriani III, i pagëzuar me emrin Agapito, qe Papë ndërmjet
viteve 884-885. Të pakta janë të dhënat për jetën e tij. Dihet se lindi në Romë, se
u zgjodh papë më 17 maj 884 e se papnia e tij e shkurtër, qe plot trazira. Vdiq në
Spilamberin e sotëm, pranë qytetit italian Modena, në shtator të vitit 885, nësa ishte
në shtegtim drejt Uormsit, pasi qe thirrur nga Karli III, mbret i frankëve, për të
siguruar vazhdimësinë e Perandorisë së Shenjtë Romake dhe për të diskutuar lidhur
me rrezikun e saraçenëve, që vijonin të forcoheshin, duke krijuar kërcënime të reja
për botën e krishterë. Papa Adriani III u varros në monastirin e Nonantolës në Modena.
Dihet, gjithashtu se mbajti qëndrim pajtues ndaj Patrikut të Kostantinopojës,
Focit, por nuk dihen me saktësi shkaqet e nderimit të tij si shenjt. Këto shkaqe ndoshta
duhen kërkuar në ndihmën e jashtzakonshme që i dha Romës gjatë një periudhe kur vuante
nga zija e bukës. Kulti i Shën Adrianit papë, që u kremtua sot, nis që në vitin 1891.